Eko e re në maternitet, diagnostikohen problemet e fëmijëve pa u lindur

18/05/2015 00:00

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka akuzuar ish-drejtuesit e maternitetit “Mbretëresha Xheraldinë” për keqmenaxhim dhe përdorimin e tij si pronë private.

“Ky spital, në shumë e shumë vite, është keqmenaxhuar. Ne kemi rreth 500 mijë dollarë pajisje këtu jashtë përdorimit që janë ende në inventar kontabël, sepse deri në vjeshtë të 2013 nuk ekzistonte koncepti i inventarizimit në këtë spital. Për periudhën 2008-2009, kemi gjetur këtu barna të skaduara në vlerën e 100 mijë dollarëve. Këtu është një autoambulancë që prej vitesh as punon, as nuk kolaudohet, as nuk paguan taksa, por që deri në vjeshtë të 2013-s shpenzonte karburant. Gjithashtu, një sasi jo e vogël pajisjesh mjekësore të ardhura dhuratë, nuk është inventarizuar kurrë, pra ata që kanë drejtuar më parë këtë spital e kanë trajtuar si një pronë të tyre. Madje, t’i përdorin pajisjet që kanë ardhur si dhuratë për spitalin, sikur ta kishin pronë të tyren”, tha ministri Beqaj.

Beqaj inauguroi ekografinë 4-dimensionale, e instaluar pranë këtij materniteti. Kjo aparaturë do të mundësojë rritjen e diagnostikimit të problemeve të fëmijës që në barkun e nënës. Deri më tani, ajo ka ekzistuar vetëm në disa klinika private.

Ministri i Shëndetësisë tha se falë një sërë investimeve të tjera, është rritur cilësia e shërbimit në këtë maternitet, por është rritur edhe volumi i punës.

“Këto 20 muaj janë rreth 250 mijë dollarë investime që janë kryer, përfshirë inkubatorët, laboratorët, sallat e kirurgjiksë obstetrike. Tashmë është një eko e re, me teknologji të përparuar, që prej vitesh ekziston, po që më në fund kanë mundësi ta përfitojnë gratë që vijnë në këtë spital. Sidomos edhe mjekët që janë në spital kanë mundësi të bëjnë ekzaminime me teknologji më të përparuara”, shtoi ministri.

Materniteti “Mbretëresha Xheraldinë” përballon fluksin më të madh të punës në gjinekologji-obstetrikë. Pajisja e këtij materniteti me aparatura të teknologjisë së fundit pritet të lehtësojë punën e ekipit mjekësor, si dhe do të rrisë më tej cilësinë e shërbimet për nënat shtatzënë dhe bebet e porsalindura.

Top Channel