Basha në Fier, sfidon Ramën për taksat

18/05/2015 00:00

Lulzim Basha u shpjegon të rinjve përse sistemi i taksimit të sheshtë favorizon Shqipërinë dhe çon më shumë para në xhepat e shqiptarëve.

Me të rinjtë e Fierit, kreu i opozitës bëri një llogari se si taksa e sheshtë, 9 për qind, ndikon menjëherë dhe ndjeshëm tek të ardhurat nga një pagë mesatare.

Kjo ishte vetëm një llogaritje e thjeshtë, por Basha beson se taksa e sheshtë do të rrisë bazën e taksapaguesve, do të ulë informalitetin, do të rikthejë investimet e huaja dhe do të rrisë punësimin. Me llogarinë që bëri para të rinjve fierakë, kryetari i PD-së sfidoi direkt Kryeministrin Edi Rama.

“Uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9%, taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim dhe i them sot kryeministrit: O je gënjeshtar, ose ke mbetur në matematikë! 450 mijë lekë rrogë, 300 mijë lekë rroge janë pa taksa, ashtu e kemi bërë ne. Ato 150 mijë që taksohen, po të taksohen me sistemin e Edi Ramës, Ilir Metës e Koço Kokëdhimës sot janë 13%, paguajnë 1950 lekë. Po të taksohen me sistemin që propozojmë dhe do të jetësojmë ne, me votën e bashkuar të shqiptarëve, të djathtë e të majtë, 9%, paguajnë 1350 lekë. Kush paguan më pak? Sistemi Basha apo sistemi Rama?!”, deklaroi Basha.

Rikthimi i taksës së sheshtë prej 9 për qind, nga 10 që ishte gjatë qeverisjes Berisha, nuk është i vetmi premtim i demokratëve. Në ofertën e re të tyre ka edhe 5 premtime të tjera kryesore, ku bien në sy dy prej tyre, që opozita i klasifikon si premtime të pambajtura të kryeministrit Rama; heqja e TVSH-së për mallrat e shportës dhe uljen drastike të çmimit të energjisë, nëpërmjet uljes së TVSH-së. Premtime këto që dy vjet më parë demokratët i cilësonin ose si premtime që e kthenin vendin në një republikë bananesh ose si premtime të parealizueshme.

“Do të ulim taksat që paguajnë familjet, taksat që paguan biznesi. 25% ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatë-vonesave për energjinë dhe ujin anembanë Shqipërisë, ulje të taksës së qarkullimit që do të përkthehet në ulje të çmimit të naftës, subvencione për bujqësinë, eliminimin e TVSH-së për mallrat e shportës”, tha Basha.

Në Fier, opozita përfaqësohet me ish-ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili bëri një premtim konkret duke iu përgjigjur interesit të të rinjve se cili do të jetë vendimi i parë si kryetar bashkie.

“Akti i parë do të jetë zhbërja e koncesionit të parkimit, aktit më korruptiv që ka ndodhur në Bashkinë e Fierit. Është e drejtë publike e fierakëve ta parkojnë, por të mos u vidhet makina, ta parkojnë, por të mos u zhvaten paratë”, tha Alibeaj.

Top Channel