Raporti i DASH për Shqipërinë: Shqetësim, krimi e xhihadistët; vlerësohet Lazarati

18/05/2015 00:00

Byroja e Sigurisë Diplomatike, pranë Departamentit amerikan të Shtetit, ka publikuar raportin e saj për vitin 2015 mbi krimin dhe sigurinë në Shqipëri. Në raport thuhet se, në vitin 2014 krimi dhe situata e përgjithshme e sigurisë vijojnë të mbeten shqetësuese.

“Krimi ka vazhduar të rritet gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së madhe të vjedhjeve dhe grabitjeve me dhunë. Krimi i rrugës është mjaft i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rritja më e dukshme në krim ka qenë lidhur me vjedhjet me dhunë, grabitjet dhe dhunën në familje. Krimi i dhunshëm ka parë një rënie të vazhdueshme që nga 2011-a”, thuhet në raportin e OSAC.

Pavarësisht rënies së numrit të shpërthimeve me eksploziv, sipas Byrosë së Sigurisë Diplomatike, sërish këto lloj krimesh vijojnë të mbeten një shqetësim, ku si zonë më problematike identifikohet ajo e Fushë Krujës.

Në kapitullin e krimeve të lidhura me drogën, raporti nënvizon:

“Në Shqipërinë Jugore, zona e Lazaratit në Gjirokastër ishte një nga më të mëdhatë e prodhimit të marijuanës në Europë. Në qershor, policia ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në këtë zonë, i cili çoi në kapjen e sasive të mëdha të marijuanës dhe arrestimin e disa personave”.

Por, pavarësisht këtij operacioni dhe përmirësimit të situatës së sigurisë në Lazarat, sërish Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk lejon udhëtimet personale për personelin e qeverisë amerikane në Lazarat dhe vizitorëve nuk u rekomandohet të udhëtojnë në atë zonë.

Një shqetësim në rritje në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit – sipas raportit – është kërcënimi që vjen nga luftëtarët e huaj, të cilët udhëtojnë në Siri dhe kthehen më pas sërish në rajon.

“Në mars, Policia e Shtetit shqiptar ka vepruar kundër një rrjeti rekrutimi luftëtarësh për në Siri, duke arrestuar 9 persona për “nxitje të akteve të terrorizmit”. Dy prej të arrestuarve ishin imamë në xhamitë në periferi të Tiranës, të cilët mësojnë një version ekstrem të Islamit. Përveç kësaj, Parlamenti miratoi një seri ndryshimesh në Kodin Penal të Shqipërisë, me qëllim forcimin e aftësisë së qeverisë për të adresuar problemin e shtetasve shqiptarë, që udhëtojnë për të luftuar në konfliktin në Siri”, thuhet në raportin e Byrosë së Sigurisë Diplomatike pranë Departamentit amerikan të Shtetit.

Tahiri: DASH njeh arritjet tona
Raporti përmend sukseset kundër drogës, korrupsionit dhe xhihadistëve

Pas publikimit të këtij raporti, me anë të një daljeje për mediat, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përshëndetur Departamentin amerikan të Shtetit për vlerësimin e bërë, por njëkohësisht ka pranuar dhe kritikat e ngritura.

“Raporti ka njohur një sërë arritjesh pozitive për Shqipërinë, lidhur me luftën kundër lëndëve narkotike, me ulje drastike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike për vitin 2014, ashtu siç ka njohur rezultatet tona në luftën kundër kriminalitetit të dhunshëm, pavarësisht shqetësimit që ende mbetet për kriminalitetin e rrugës. Njeh përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare dhe rezultatet pozitive për rritjen e punës së Policisë, reagimin dhe kapacitetet zbuluese të Policisë së Shtetit, rritjen e sigurisë, koordinimin e agjencive ligjzbatuese, si dhe uljen nëpërmjet rezultateve pozitive në goditjen e fenomenit të korrupsionit”, u shpreh ndër të tjera ministri Saimir Tahiri.

Top Channel