Monitorimi i zgjedhjeve, KZLN prezanton platformën

18/05/2015 00:00

Koalicioni për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të monitorojë procesin zgjedhor të 21 Qershorit në 3 faza.

Vëzhguesit e tij janë duke monitoruar fushatën parazgjedhore, do të vijojnë me ditën e zgjedhjeve e më pas me numërimin e votave.

“Edhe procesi parazgjedhor është po aq i rëndësishëm për të gjithë procesin. Madje, në disa raste është pikërisht kjo fazë që përcakton nëse zgjedhjet janë të lira e të ndershme. Në këtë drejtim, vëzhguesi do të vëzhdojë pikë së pari të gjithë aktivitetin e KZAZ-ve, do vëzhgojë mbledhjet, procesin e vendimmarrjes, ankimimet që do bëhen nga subjektet zgjedhore. Hapat e rëndësishëm gjatë kësaj faze, siç janë krijimi i komisioneve të qendrave të votimit, transferimi i materialeve zgjedhore nga KZAZ-të në qendrat e votimit”, thotë Dhimitër Gjodede, koordinator.

Ky koalicion do të vërë në dispozicion 90 vëzhgues afatgjatë në të 90 zonat e administrimit zgjedhor. Ata do të fokusohen në respektimin e kuotës gjinore, në angazhimin e subjekteve politike në ZAZ për respektimin e ligjit. Ky koalicion do të publikojë një raport një ditë pas zgjedhjeve dhe raporti final do të publikohet pas rezultatit final të zgjedhjeve.

Top Channel