32 kompani mbajnë peng bankat, zënë mbi 52% të kredive të këqija

18/05/2015 00:00

I shndërruar ndoshta në ngërçin kryesor që po mban peng ekonominë, problemi i kredive të këqija më shumë se masiv rezulton një fenomen i përqëndruar tek një grusht biznesesh.

Një statistikë e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon që më shumë se gjysma e kredive të këqija në shkallë vendi u përkasin vetëm 35 kompanive apo grupeve tregtare.

Sipas burimeve nga Banka, më saktësisht, këto 35 kompani zënë 52.16 për qind të totalit të kredive të pakthyera në ekonominë shqiptare.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se së bashku, këto 35 grupe tregtare kanë mbi 66 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të pakthyera në sistem, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financar dhe ekonominë kombëtare.

Kreditë e këqija konsiderohen si një nga shkaqet kryesore që po pengojnë ekonominë të rimëkëmbet me ritme të shpejta.

Me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare ka lajmëruar një plan të përgjithshëm për uljen e kredive të këqija, i cili përfshin një sërë institucionesh, por edhe ndryshimin e disa ligjeve apo procedurave.

Një ndër to, i kërkuar me ngulm nga FMN dhe Banka Botërore, është ndryshimi i ligjit të falimentit për ta bërë atë më funksional.

Burime nga BSH thanë për Top Channel se, trajtimi i këtyre 35 kompanive do të jetë një nga pikat kryesore të planit për zgjidhjen e kredive të pashlyera.

Por a do të jetë kjo zgjidhje dërgimi në faliment apo ristrukturimi i këtyre kompanive? Burime nga Banka thonë se kjo do të përcaktohet më qartë kur plani të jetë gati.

Ndërkaq, të dy institucionet, si Ministria e Financave ashtu dhe Banka e Shqipërisë, në më shumë se një rast kanë deklaruar se janë të vendosura për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë ngërçit të kredive problematike.

Top Channel