Berlusconi: Vizioni im për Milanin, ndryshon me atë të Inzaghi-t

18/05/2015 00:00

Silvio Berlusconi është rikthyer për të diskutuar të ardhmen e Milanit, dhe këtë e bën në Saronno, gjatë një vizite që kishte qëllime politike. Presidenti i kuqezinjëve ka folur për Inzaghi-n, trajnerin që nuk po arrin të nxjerrë nga kriza e rezultateve Milanin, që mbetet pa Europë për të dytin vit rradhazi.

“Inzaghi ka ndërtuar mardhënie shumë të mira me grupin, pavarësisht se në disa raste kemi pasur vizione të ndryshme për skuadrën. Gjithsesi, ne do të diskutojmë për të kur të jetë momenti i duhur”-, është shprehur numri një i Milanit.

Pavarësisht krizës, Berlusconi mendon se skuadra e tij është pjesë e imazhit të Italisë si dhe bashkë me Real Madridi-n mbetet skuadra me më së shumti trofe në bote. Ish-kryeministri italian thotë se kuqezinjtë kanë 350 milionë tifozë në gjithë botën.

“Historia e Milanit është fantastike, bashkë me Realin jemi skuadrat më të suksesshme në botë. Gjatë këtyre 30 viteve në krye të skuadrës, kemi arritur suksese të mëdha, duke bërë që Milani të jetë një markë. Nëse para shumë vitesh, do e pyesje dikë në Lindje se kush janë tre gjërat që prezantojnë Italinë, ai do thoshte mafia, pica dhe Loren. Po të pyesesh tani, ai do përgjigjet mafia, pica dhe Milani. Ne numërojmë 350 milionë tifozë në gjithë botën”-, është shprehur Berlusconi.

Ai përsërit vizionin e tij për një Milan me gjithë lojtarë italian, në rast se dështon të ketë më shumë investime në skuadër. “Nëse nuk do gjenden investues të rinj, që do kujdesen për Milanin, atëherë do të shkojmë me një Milan që do ketë vetëm lojtarë italian. Bee Taechaubol? Për të pasur Milanin duhet të ketë diçka me tepër, se sa qëllimi për të qenë vetëm i famshëm”-, deklaroi presidenti kuqezi.

Top Channel