Prokuroria e Vlorës dërgon në gjykatë dosjen “Gjika”

18/05/2015 00:00

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimin ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe ka dërguar në gjykatë dosjen përkatëse.

Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi për shtyp të organit të akuzës së qytetit bregdetar, në të cilin saktësohet se ndaj Gjikës rëndojnë akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”, vepër e kryer kjo sipas njoftimit 7 herë, “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim i paligjshëm”, e kryer sipas akuzës në pronën e një personi tjetër dhe në tokë shtetërore.

Pas Gjikës vjen biznesmeni Artur Haxhi, pronar i një pallati të ndërtuar në tokat në fjalë, ndaj të cilit rëndojnë të njëjtat akuza, përveç asaj të “shpërdorimit të detyrës”.

Edhe ndaj shefes së sektorit të urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Doriana Behari rëndojnë të njëjtat akuza, sikurse ato të shefit të saj, ndërsa ndaj të pandehurit të katërt, shtetasit Ridvan Mersinaj rëndon edhe ajo e “pastrimit të produkteve të veprës penale” ose veprimtari kriminale.

Top Channel