Rama prezanton kandidaten Farrici në Burrel: Nga SHQUP-i, asnjë vizion për zhvillimin

18/05/2015 00:00

Në Burrel, Kryeministri Edi Rama prezantoi kandidaten e mazhorancës, Adelina Farrici, e cila kandidon për një mandat të dytë në këtë bashki, të zgjeruar tashmë.

Në fjalën e tij, Rama u kërkoi qytetarëve të votojnë kandidatët e shumicës, ndërsa sulmoi kandidatët e opozitës për mungesë vizioni në zhvillimin e rajoneve dhe komuniteteve.

“I keni dëgjuar ndonjëherë ata të SHQUP-it se çfarë vizioni kanë për zhvillimin e komunitetit?! Për zhvillimin urban?! Për zhvillimin ekonomik në njësitë vendore?! Keni dëgjuar ndonjë gjysmë llafi për projekte konkrete?! Kanë nisur të bëjnë premtime sikur më 21 Qershor do të ndërrohet qeveria. Flasin për çështje që nuk kanë të bëjnë fare me votën e 21 Qershorit. Ata e kanë treguar kudo ku kanë qenë në krye të bashkive, që nuk e kanë haberin se çfarë punësh i duhen një qyteti, mos pyet pastaj për komunat. Vetëm për administrim nuk janë”, tha Rama.

Kryministri kritikoi veçanërisht kreun e opozitës, Lulzim Basha.

“Më i miri që kanë këta është ai që është edhe për ca ditë në Tiranë. Ishte ministër i Transporteve dhe mbahet mend vetëm për një gjë; 230 milionë eurot që ikën në drejtim të paditur. Ishte ministër i Jashtëm i humbi nja 300 km/katrorë det vendit, me dashje a padashje. Ishte ministër i Brendshëm e mbylli me katër të vrarë në bulevard. Por si kryetar bashkie nuk mund t’i themi që bëri keq, sepse s’bëri asgjë. Na bllokoi, na pengoi qeveria, -thotë. Po kur kishte qeverinë e vet, çfarë bëri? Asgjë”, shtoi Rama.

Rama premtoi financimin nga qeveria për ujësjellësit, ngritjen e sistemeve vaditëse dhe kulluese, si dhe mbështetje për zgjidhjen e mbetjeve urbane.

“Adelina ka ardhur me projektin gati për këtë, së bashku me koston dhe ne, së bashku me Shkëlqim Canin i kemi thënë që do ta financojmë. Do të nisim të financojmë menjëherë dhe do ta bëjmë model Bashkinë e Matit”, tha Rama.

Top Channel