Rimishërimi, drejt përsosjes “udhëtimi” i shpirtit nëpër shumë jetë

18/05/2015 00:00

Shumë prej nesh mendojnë se të jetuarit është përvojë unike. Disa besojnë se, përtej kësaj jete, energjia jonë vijon të jetojë në forma të tjera. Ndërsa për disa të tjerë, këtu përfshihen edhe budistët, hindutë, por jo vetëm: ne rimishërohemi shumë herë.

Është si një proces maturimi ose evolucion i energjisë shpirtërore, çka nënkupton se intuitivisht ne kemi përjetuar gjëra të ndryshme, në jetët që kemi pasur. Zakonisht besohet se, shumë nga karakteristikat, eksperiencat dhe aftësitë tona reflektohen në jetën pasardhëse. Por, sa më shumë maturohet energjia jonë, aq më shumë këto veti përforcohen dhe aq më shumë veti të reja përfitojmë.

E vërteta është se, në këtë proces rimishërimi, disa prej nesh e kanë përjetuar këtë eksperiencë më shumë se sa të tjerët dhe janë disa shenja që tregojnë për lidhjen tonë me të shkuarën e përtejme.

– Ëndrrat e ripërsëritura janë refleksione të pavetëdijes, të cilat në mënyrë të vazhdueshme tregojnë për trauma, frikëra dhe pasigurira, të cilat pretendohen se ruhen në kujtesën tonë nga eksperiencat e jetëve të shkuara. Shumë njerëz përjetojnë në ëndrra takime, apo vizitojnë vende të cilat u duken shumë të njohura, edhe pse nuk i kanë vizituar kurrë.

– Tjetër tregues, se mund të keni jetuar më parë, është intuita e fortë. Ajo konsiderohet si aftësi për të krijuar balancën midis vetëdijes dhe pavetëdijes, e cila na lidh me thellësinë e mençurisë që në krijim dhe me dijet e lindura. Thuhet se, sa më i moçëm të jetë një shpirt, aq më shumë ai ka prirje të kthehet te burimi i tij. Kjo njihet si procesi Nirvana, prirje për të njohur veten dhe përjetësinë.

– “Déjà vu”-të duket se janë një tjetër lloj përjetimesh, të cilat na lidhin me momente dhe ndjesi përtej kësaj jete. Thuajse të gjithëve na ka ndodhur, së paku një herë në jetë, të përjetojmë atë momentin “vetëtimë”, sikur një ngjarje na vjen e jetuar edhe më parë. Disa shpjegojnë se “déjà vu”-ja është papajtueshmëri neurologjike; të tjerë thonë se është refleksion i mundshëm i përmasave të tjera, universeve paralele; dhe një pjesë tjetër besojnë se ato janë referenca të eksperiencës së jetës së mëparshme.

– Mbindjeshmëria duket se është një tjetër element përcaktues për moshën e vjetër të shpirtit. Konsiderohet se, një person me mbindjeshmëri, i cili percepton dhe përjeton dhimbjen dhe ndjesitë e personave të tjerë përreth, është tregues i një shpirti, i cili ka kaluar shumë rimishërime dhe ka arritur në pikën, që po tejkalon problemet e vetes, duke u shtrirë te të tjerët.

– Frikërat e pashpjegueshme dhe fobitë, gjithashtu konsiderohen se janë tregues, që keni jetuar të tjera jetë. Ka nga ata, që besojnë se disa kujtime dhe eksperienca të së shkuarës lënë pasoja në fëmijëri ose dhe në jetën e mëvonshme. Por, disa frikëra janë vërtet të pashpjegueshme. Për shembull, frika për t’i dhënë makinës, frika nga disa kafshë që nuk na kanë lënduar kurrë, frika nga të shkuarit në disa vende etj. Të gjitha këto mund të lidhen edhe me një traumë në të shkuarën tonë të përtejme.

– E fundit dhe më e forta është ndjesia, që mund të përjetosh se toka nuk është shtëpia jote. Shpesh pushtohemi nga malli për të gjetur shtëpinë, dhe kjo mund të merret si një refleksion i dëshirës për t’u rikthyer në burim, tek uni, ndërgjegjja, hyjnorja. Shumë njerëz ndiejnë këtë mall, si një atlet që vrapon mundimshëm për të arritur vijën e “finish”-it. I njëjti shembull vlen edhe për shpirtrat e rimishëruar disa herë, të cilët ndiejnë nevojën bazike për të finalizuar ciklin e për të shkuar në shtëpi. Shpesh, duke përjetuar këtë ndienjë, personat janë të shoqëruar nga ndjesi të përsëritura, si lodhja e vazhdueshme dhe kujdesi për jetën në tokë.

Top Channel