Terrorizmi, ministrat e Brendshëm të rajonit mblidhen të martën në Tiranë

18/05/2015 00:00

Të martën në Shqipëri do të zhvillohet një takim rajonal në nivel ministrash të Brendshëm për të diskutuar mbi terrorizmin, bashkëpunimin mes shteteve për ta parandaluar atë dhe çështje të tjera të sigurisë.

Në takim, i cili pason atë të organizuar muajin e kaluar në Uashington nga Departamenti Amerikan i Shtetit, do të marrin pjesë 12 vende, ku përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse do të jenë edhe vende të Bashkimit Europian si dhe Shtetet e Bashkuara, që përfaqësohen nga zv/sekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Sarah Sewall.

Si vend organizator, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një intervistë për Zërin e Amerikës foli për çështjet që pritet të shtrohen në tryezën e diskutimeve.

“Ne kemi përcaktuar disa objektiva bazë. Së pari, kemi rënë dakord që qasja ndaj terrorizmit duhet të jetë një qasje e përgjithshme dhe jo vetëm një qasje force. Pra, me qasje të përgjithshme kam parasysh përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër varfërisë, përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër injorancës dhe mungesës së arsimit, përpjekjet që duhet të bëjmë për forcimin e zhvillimit ekonomik në mënyrë të qëndrueshme, e pastaj sigurisht, përpjekjet që duhet të bëjmë në kuadër të punës që bëjnë agjencitë ligjzbatuese, që nga shkëmbimi informacionit deri tek aksionet e përbashkëta”, thotë Tahiri.

Ministri i Brendshëm foli për masat e marra nga Shqipëria për parandalimin e terrorizmit dhe përfshirjen e shtetasve shqiptarë në konflikte të jashtëm.

“Masat që kemi marrë në Shqipëri kanë çuar sot që flasim në zero numrin e personave që nisen për të marrë pjesë në një luftë që nuk është lufta jonë, dhe me masa këtu kam parasysh ndryshimin e legjislacionit penal, kam parasysh edhe procedimet penale që kemi bërë pashkë me partnerët, por kjo është ende e pamjaftueshme për Shqipërinë, siç është ende e pamjaftueshme për rajonin”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Top Channel