Monitorim nga ajri parcelave të mbjella me hashash

18/05/2015 00:00

Në Drejtorinë e Policisë së Shtetit u zhvillua këtë të hënë një takim mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme italiane, Policisë së Shtetit dhe Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, me synim përcaktimin e modaliteteve për zhvillimin e misionit të monitorimit nga ajri me avionë të posaçëm për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike.

Në fokus të këtij takimi ishte përcaktimi i modaliteteve të monitorimit të territorit përmes avionit të posaçëm vënë në dispozicion nga Policia Italiane, masat për kontrollin  e territorit pas identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me qëllim asgjësimin e tyre, mënyra e raportimit të përbashkët për rezultatet, si dhe diskutimi mbi masat e sigurisë gjatë operacionit.

Me përcaktimin e modaliteteve pritet që së shpejti të nisë dhe monitorimi nga ajri, proces i cili do të pasohet nga veprimet në terren të forcave vendore të policisë të mbështetura nga forcat speciale, me qëllim asgjësimin e sipërfaqeve të gjetura.

Në këtë takim ishin të pranishëm zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, si dhe drejtues të tjerë të strukturave të luftës kundër drogës dhe të bashkëpunimit policor ndërkombëtar në Policinë e Shtetit.

Ndërkohë, delegacioni italian përbëhej nga funksionarë të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, si dhe drejtues të Misionit Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri. Po ashtu, i pranishëm në këtë takim ishte dhe Drejtuesi i Misionit “PAMECA IV”, Giorgio Butini.

Top Channel