Qeveria greke: Situata, tejet kritike. Por do të paguhen pagat e pensionet e majit

18/05/2015 00:00

Mes frikës në rritje se vendi është në prag të falimentimit, zëdhënësi i qeverise greke ka bërë të ditur orët e fundit, se Athina do të paguajë pagat e sektorit publik dhe pensionet për këtë muaj, por dëshiron – dhe është e një nevoje urgjente, – një marrëveshje me kreditorët deri në fund të muajit maj.

“Me përpjekjet e qeverisë greke, ne e kemi provuar se mundemi dhe po paguajmë detyrimet tona deri më sot, edhe pse me vështirësi të mëdha dhe këtë nuk e fshehim. Këtë do ta vazhdojmë edhe në muajt e ardhshëm”, tha Gavril Sakellaridis, zëdhënësi i qeverisë greke.

Zëdhënësi i qeverisë ka deklaruar se, përjashton skenarët që u zbatuan në Qipro, pra një taksë nga 9.5% deri në 15% mbi depozitat, për të siguruar likuiditet në banka dhe për të shlyer detyrimet ndaj huadhënësve, siç është ai i radhës prej 1.5 miliardë eurosh, në datën 5 qershor ndaj FMN-së.

Megjithëse Greqia zotohet përsëri se do të kryejë pagesat, specialistët e huaj paralajmërojnë se muajin e ardhshëm, paratë që ajo ka në dispozicion mbarojnë përfundimisht dhe mund të falimentojë papritur.

Pasditen e së hënës, një lajm që ka bërë xhiron e mediave të huaja dhe atyre vendase, bën me dije se Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker i ka dërguar Athinës një program me reforma më të lehta, të hartuara prej BE-së, për të ndihmuar në mbylljen e negociatave, duke i dhënë pak frymëmarrje deri në shtator qeverisë “Tsipras”.

Megjithëse zyrtarisht, ekzistenca e një liste të tillë nuk pohohet nga Brukseli dhe Athina, Komisioneri europian i Ekonomisë, Pierr Moskovici ka deklaruar se Greqia dhe partnerët e saj janë tashmë më afër një mirëkuptimi të përbashkët, në shumë pika të listës së reformave.

“Qysh prej takimit të Eurogrupit në Riga ka një ndryshim në proces, me ekipet e reja të negociimit në nivel teknik në Bruksel dhe kemi një qasje drejt një kuptimi të përbashkët të reformave, që do të miratohen në një numër sektorësh”, tha Pierr Moscovici, Komisioner i Ekonomisë në KE.

Sipas Federatës greke të Tregtisë dhe Biznesit, çdo ditë që kalon pa marrëveshje midis Athinës dhe kreditorëve humbasin 22.3 milionë euro nga PPB-ja e vendit, mbyllen gjithashtu 59 biznese të vogla e të mesme, si dhe humbasin më shumë se 600 vende pune me orar të plotë ose të pjesshëm.

Top Channel