Reforma në drejtësi, ekspertët: Ja ku çalon përzgjedhja e kandidatëve për Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë

18/05/2015 00:00

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kanë sjellë shmangien e një konsensusi politik që më pas reflekton mungesë të mbështetjes dhe besimit tek palët politike për figurën e kreut të shtetit.

“Ky ndryshim kushtetues ka dhënë ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e Presidentit të Republikës me gjysmën e votave të deputetëve, që anashkalon konsensusin politik në dëm të pavarësisë që duhet të karakterizojë Presidentin e Republikës, në ushtrimin e funksioneve të tij në raport me drejtësinë, në krijimin e një marrëdhënieje ku vërehet një mungesë bashkëpunimi mes organeve kushtetuese, gjë që ka ndikuar në mos-ushtrimin nga Presidenti i Republikës, Kuvendi apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë të disa kompetencave kushtetuese në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe që mund të jetë bërë shkak për lindjen e mosmarrëveshjeve për kompetencat mes pushteteve”, deklaroi Sokol Sadushi, ekspert i nivelit të lartë.

Po ku çalon formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Mungon një proces transparent lidhur me mbledhjen dhe përzgjedhjen e kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, që mund të garantojë një përbërje cilësore të tyre. Kushtetuta nuk përmban kritere të qarta që duhet të plotësojnë kandidatët për gjyqtarë të Kushtetueses, kurse për Gjykatën e Lartë nuk parashikon asnjë kriter. Kuvendi nuk jep përherë arsye të qarta për refuzimin e kandidaturave, ndërkohë që shumica minimale prej 36 deputetësh, që kërkohet në Kushtetutë për miratimin e kandidaturës, nuk ofron garanci të mjaftueshme në drejtim të respektimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe cilësisë në drejtim të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese”, shton eksperti Sadushi.

Në tryezën e radhës për reformën në drejtësi, të përbërë nga një komision i posaçëm, u gjet problematik edhe mandati i pamjaftueshëm prej pesë vitesh i Prokurorit të Përgjithshëm, fakti që edhe në përfundim të mandatit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë derisa të zëvendësohen, si edhe kufizimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje të posaçme.

Top Channel