Seniçani i Përmetit, një hap larg “fundit të botës”

18/05/2015 00:00

Këlcyra mbetet pas, ndërsa rruga nacionale që shkon drejt Përmetit thyhet disa kilometra më tej. Në vazhdim është thuajse një rrugëtim në errësirë. Nëse gabon, mund të përfundosh s’dihet se ku, sa kohë rruga duhet gjetur vetëm me hamendje.

Seniçani i Përmetit edhe është, edhe s’është. Fshati është aty, shtëpitë po ashtu, por një pjesë e madhe e banorëve janë larguar, e jo për faj të tyre…

Fshati ngrihet jo më shumë se 7 kilometra nga aksi kryesor, që duket 10-fish keq për shkak të gjendjes së rënduar. Është pjesë e komunës Dishnicë, që i përket rrethit të Përmetit, edhe pse Këlcyra është shumë pranë. Seniçani sot është tkurrur në rreth 120 banorë, nga mbi 300 dikur. Shpesh përngjan si pjesë e historisë, apo një fotografie të shkrepur kohëve të shkuara, për sa kohë që mes shtëpive të vjetra është e vështirë të dallosh qoftë edhe një të tillë të rindërtuar rishtazi.

“Me rrugën vuajmë, me vështirësi të mëdha. Makinat i shkatërruam, se nuk ka rrugë”, tha Vesel Jaupllari.

Edhe pse duket i fjetur mbi kryet e Këlcyrës, dikur fshati ka pasur një jetë të gjallë, prodhonte mbi 500-600 kuintalë rrush, grurë, misër e pemëtari. Ndryshe nga sot, kur gjithçka duket e humbur. Kur edhe uji ka firuar ashtu si shumëçka, që investime s’ka marrë kurrë.

“Mblidh lakra, ha lakror dhe rri në shtëpi, se nuk ka gjë tjetër. Çfarë të bëj? Unë jam pa pension, po vete 63 vjeç. Kam moshë të punoj unë sot? Nuk kam moshë. Edhe sikur të ketë një punë diku, ai thotë s’të marr se je plak. Ku t’i gjej paratë? Ndihmë sociale s’kam, dy vetë jam në shtëpi. Mbjell 5 qepë, 5 hudhra atje, edhe rri. Çfarë të bëj tjetër, ku të gjej të ha?”, tregon Flamur Cenollari.

Gjendja e vështirë, sigurisht nuk vjen për faj të banorëve, që janë dendur me premtime elektorale për ndërtimin e rrugës. Ata që mbahen me blegtori e kanë thuajse të pamundur të kapin tregun, e kush arrin ta çojë deri poshtë, duhet të përballet me çoroditjen dhe absurdin, që produktin e tyre e shikon të zhvleftësuar tërësisht. Një kilogram qumësht ka çmim të barabartë me një shishe uji, e disa herë më të vogël se një pije freskuese.

“Një kg qumësht 40 lekë, ndërsa qumështi i deles shkon 70 lekë. Ja këto janë pretendimet që kemi ne, këtu në fshatin Seniçan”.

“Unë merrem me blegtori. Qumështin e pinë kecat. Tregtari thotë sille qumështin atje poshtë. Ta çoj atje, humbas një ditë pune dhe qumështin ma merr me 40 lekë. Nuk ia vlen të shkosh ta çosh atje”, thotë Petrit Jaupllari.

Një sfidë e pamundur, që po djeg edhe ata, të cilët janë përpjekur të hedhin diçka e të mos ndjekin shumicën, për t’u larguar nga fshati.

“Nuk e përballojmë dot, sepse shteti nuk jep shpërblime. Në qoftë se do të na jepte shpërblime do të mbulonim diçka. Pothuajse përditë rrimë të qullur dhe nuk marrim atë që duam”, tha Krenar Cangollari.

Është absurde të mendosh, sesi në një zonë të begatë, ku mundësitë janë të shumta, ku banorët janë punëtorë e të gatshëm, të mund të jetë kjo gjendje. Këtu nuk flitet për të vënë fitim me bujqësinë apo blegtorinë, por thjesht, siç thonë banorët, për të mbajtur frymën gjallë. Ndërkohë që, një strategji e qartë zhvillimi infrastrukturor do t’u jepte mundësi të ktheheshin edhe të ikurit, duke ulur kështu edhe nivelin e papunësisë në qytetet e mëdha.

“Prodhimet, me këto vështirësi që janë, janë sa për nevojat tona. Unë prodhoj në vjeshtë domaten e vonë. Po atë e transportoj me tepër vështirësi, deri dje me ndonjë kafshë që kisha. Tani marr makinën e ndonjërit, me çmim jashtëzakonisht të paarsyeshëm. Nga këtu deri te rruga poshtë kërkojnë 2 mijë lekë për një transport, për një gjysmë ore. Kështu bie leverdia dhe vlera e konsumit, në një mënyrë katastrofike”, tregon Avni Demcellari.

“Banorët vuajnë si s’ka më keq. Kush ka pak blegtori, kush pak bujqësi, por edhe këto, që t’i punosh me traktor duhen lekë. Zetori do 2 mijë lekë, plehu me 6 mijë lekë për t’u blerë”, thotë Petrit Duckallari.

Furnizimi me ushqime bëhet vetëm në Këlcyrë, ku listat shtohen e shtohen, deri në ditën kur dikush do mund të shesë diçka, e me to të shlyejë dertet që u qëndrojnë mbi shpinë, ashtu si rrasat e vendosura kushedi se kur, mbi shtëpitë e fshatit.

“Zakonisht marrin ushqime, ndonjëri edhe për blegtori, kuptohet borxh. Sa fillojnë të shesin qumështin, kecat, qingjat apo viçat, e me to rregullohen me të keq”, shprehet Myslim Demcellari.

Shkolla e fshatit mbante mbi 70 nxënës, sot janë jo më shumë se 20. Një gjendje e mjerë, që bëhet edhe më e mjerë, kur e shikon se mbështetet mbi një qendër shëndetësore të lyer për makiazh, por që është tërësisht bosh. Ndaj, shpesh është dashur që të sëmurët, banorët t’i transportojnë me kafshë, apo edhe me krahë.

Ne përpiqemi të vazhdojmë më tej, edhe pse mund të duket sikur këtu nuk është fundi i botës. Ka fshatra të tjerë, që janë edhe më të izoluar. Fratari, që dikur ngrinte krye rëndë, me më shumë se 100 shtëpitë e tij, e ku Musa Fratari ka lënë gjurmë deri në Spanjë. Bënja, Mërtinja, Xhananj e më tej edhe Leskoveci, fshihen pas një rrugë të dreqosur.

Në të gjithë këto fshatra jetohet ende, edhe pse shumë kanë ikur. Rrugëtimi zgjat vetëm disa minuta. Më tej, as edhe një makinë e lartë nuk mund të shkojë. Duket sikur këtu mbaron një botë e fillon një tjetër. Tej duket “Gryka e Këlcyrës” me 1001 bukuritë dhe legjendat e saj…

Ndoshta edhe ne udhëtuam në një të tillë…

Top Channel