Protesta e banorëve tek “Unaza e re”, në konflikt me ndërtuesit

18/05/2015 00:00

Po kthehet në një serial gjashtëvjeçar historia e disa banorëve te “Unaza e re” në kryeqytet, të cilët protestojnë duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të zgjidhur shkeljen e një kontrate.

Ata pretendojnë se kanë firmosur një aktmarrëveshje me një kompani ndërtimi, e cila më pas ka shembur banesat private dhe, tashmë që pallati ka përfunduar, kompania i ka përjashtuar nga pronësia për apartamentet.

Në protestën e radhës me parrullat “Duam drejtësi”, 15 familje në fjalë kanë kërkuar që, përmes medias, të tërheqin vëmendjen e autoriteteve.

“Të mos merren vetëm me veten, por edhe me njerëzit që kanë halle. Jo vetëm për votat, të cilat ai që i meriton do t’i marrë se s’bën, ndërsa ai që nuk i meriton të mos mundohet fare”, thotë një banore.

“Ne duam shtëpitë tona, i bëjmë thirrje shtetit të na japë një zgjidhje. Jam djali i dytë në shtëpi, kam babain, vëllanë e martuar dhe djalin. Tani për tani jemi rrugëve”, u shpreh një tjetër banor.

Disa banorë i janë drejtuar madje Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të përshpejtojnë procesin civil, të fituar prej tyre në dy shkallë të tjera të gjyqësorit.

“E kemi nënshkruar aktmarrëveshjen përpara noterit, në rrugë ligjore. Kemi ardhur në Gjykatën e Lartë për arsye se na është pezulluar vendimi i dy shkallëve të tjera, që i kemi fituar. Gratë dhe njerëzit tanë janë në grevë atje. Po sakrifikojmë, sepse jemi në rrugë të madhe”, tha një tjetër kryefamiljar.

Top Channel