Masakra e Teksasit, gati 200 të arrestuar për vdekjen e 9 motoçiklistëve

18/05/2015 00:00

Shkëmbimi i zjarrit vdekjeprurës mes bandave rivale të motoçiklistëve në Teksas ka çuar 192 persona në burg, si të implikuar drejtpërdrejtë në incidentin e rëndë. Plumbat, bashkë me mjetet e forta, morën jetën e 9 personave, si dhe lanë 18 të plagosur, që sipas policisë ishin të gjithë anëtarë të bandave rivale.

Ngjarja ndodhi pranë restorantit “Twin Peaks” dhe, në fakt, nuk ishte edhe aq e paparashikuar. Në zonë ishin rritur masat e sigurisë, sepse bandat kishin gjeneruar trazira edhe më parë. Sherifi i qarkut McLennan, i cili po drejton edhe hetimin, tha se një arsye banale u përdor si justifikim, për një përballje për më shumë territor mes 5 bandave, ku kryesorët ishin përkatësisht “Bandidos” dhe “Cossacks”.

Ndërsa një tjetër oficer tha se kjo ishte një përplasje mes të fortësh. Në fakt, “Bandidos” janë konsideruar si një nga bandat më të mëdha botërore të motoçiklistëve, me më shumë se 2500 anëtarë në 13 vende të ndryshme. Njëkohësisht, ata janë klasifikuar si kërcënim i shkallës së dytë në SHBA.

Dhe incidenti i përgjakshëm i së hënës nuk bëri asgjë më tepër veçse e vërtetoi më shumë këtë gjë. Restoranti kishte afërsisht 200 motoristë, ndërkohë që në përleshje janë përdorur dhjetëra armë të ndryshme, si dhe janë dëgjuar gati 100 të shtëna.

Restoranti “Twin Peaks” do të mbetet i mbyllur për të paktën 7 ditë, ndërsa zona përreth do të jetë nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave blu.

Top Channel