“Shqip”, gara (para)elektorale dhe sondazhet

18/05/2015 00:00

Partitë po prezantojnë me shpejtësi kandidatët e tyre në 61 njësitë vendore në mbarë vendin dhe takimet me qytetarët, edhe pse fushata nuk ka nisur ende zyrtarisht, janë shpeshtuar.

Me të ftuarit Spartak Ngjela, Shpëtim Nazarko, Alfred Lela dhe Eduard Zaloshnja “Shqip” i kësaj të hëne me gazetaren Rudina Xhunga u ndal fillimisht tek situata në Maqedoni dhe roli i shqiptarëve në krizën politike që ka përfshirë Shkupin.

Për analistin Alfred Lela dhe kreun e PLD-së, Sparak Ngjela “në Maqedoni është shqetësuese ikja në drejtim të paditur e krerëve të politikës shqiptare”. Sipas tyre, nuk mund të përfaqësojë udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev shqiptarët, nuk mund t’i përfaqësojë tërësisht. “Shqiptarët janë të papërfaqësuar në këtë përballje”, u shpreh Lela.

Më pas shkurtimisht të ftuarit u ndalën tek vizita e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan në Tiranë dhe debati që pasoi largimin e tij, ai për kërkesat që ka adresuar në qeverinë shqiptare.

Alfred Lela tha se pati një shtysë që lindi ky debat, ndërsa vizitën e konsideroi më shumë fetare sesa zyrtare.

“Debati nuk prodhohet brenda vetes dhe shtysat këtë herë ekzistuan. Një vizitë që u duk më shumë fetare sesa shtetërore. Aq shumë ngjyresa fetare në ligjërim, veprime, premtime të Presidentit të Turqisë sa nuk kishte sesi të mos krijohej debati. Me Kushtetutë ne jemi një vend laik dhe elitat që prej një shekulli i kanë përqendruar përpjekjet tek ruajtja e këtij laicitetit, dhe cenueshmëria e këtij laiciteti ka si rezultat këtë reakson. U fol për një shpurë të madhe biznesmenësh dhe projektesh, por pamë shpurën, dhe jo projektet. Dëgjuam një premtin për parlamentin dhe për një financim për xhaminë e madhe, por nuk besoj që nevojat tona janë për një parlament. Për xhaminë i jemi në borxh Komunitetit Mysliman, por premtimi për një parlament më duket shumë…”, shtoi Lela.

Analisti Shpëtim Nazarko ndau një tjetër mendim.

“Është një nga aleatët më të rëndësishëm dhe kjo ishte një vizitë e rëndësishme, shtetërore për të dhënë një mbështetje. Erdogani nuk ishte në Moskë tek Putini, siç bënë këta fqinjët tanë. Është një nga aleatët tanë më strategjikë”, tha ai duke u shprehur se nuk i rrezikohej laiciteti vendit tonë prej Erdoganit.

Por Spartak Ngjela e cilësoi autokrat dhe një udhëheqës që po kërkon të zhdukë vlerat e vendosura nga Qemal Ataturku në shtetin turk. “Është një autokrat i njohur dhe këtu u soll si kalif. Ai vuan për një kalifat. Ramës mund t’i jetë dashur për konfliktet e zonës”, tha Ngjela.

Pjesën e dytë debati u zhvendos tek zgjedhjet dhe fushata që duket se është ndezuar tashmë.

 Pari që mori fjalën ishte avokati Spartak Ngjela. Ai vlerësoi si historike zgjedhjet e 21 Qershorit, ndërsa nënvizoi dy defekte, sipas tij, në politikën shqiptare. 

“Rama rriti numrin e aleatëve që të sulmojë proporcionalin. Ka fondin e vet të proporcionalëve dhe fondin e aleatëve. Kjo rrit përqindjen e madhe dhe nëse përqindja i bie Bashës në krahasim me 2013, kuptohet që është në dekadencë. Ky është defekt dhe do t’i bjerë. Basha nuk ka pasur një konkurrencë politike. Ai është i emëruar nga Saliu. Ky quhet defekti i Bashës, që ka mundësi që këto zgjedhje ta riparojnë. Defekti Basha riparohet nëse ky humbet në numër proporcional, sepse në mazhoritar ai nuk fiton dot kurrë në bashki, nëse bie nga 2013 ai rrezikohet të mos jetë më kryetar partie. Nga ana tjetër, Rama ka bërë një gabim; ka marrë 15 zona që janë të sigurta dhe ka bërë gabim politik, sepse i shmanget të vërtetës. E vërteta është që socialistët nuk votojnë për LSI-në, nuk është një raport miqësor mes LSI dhe PS. Nuk ka krushqi mes PS dhe LSI, por mes Ramës dhe Metës. Ky quhet defekt në politikë dhe këto zgjedhje do t’i rregollojnë apo jo, kjo mbetet për t’u parë”, u shpreh Ngjela.

Për Shpëtim Nazarkon, “nuk ka PS dhe LSI të ndara. Natyra e zgjedhjeve tani përcakton se konflikti politik do të shtyhet akoma më tepër”, deklaroi ai, duke shtuar se zgjedhjet, për shkak të ndarjes së re administrative, janë më të rëndësishmet në 25 vitet e fundit në vend.

Eduard Zaloshnja u ndal tek sondazhet.

“Sot sipas përllogaritjeve, për koalicionin e djathtë votojnë 600 mijë, nga 680 mijë që udhëhiqte Berisha, ndërsa e majta nga 1 milion, sot ka 870 mijë vota. Në rastin e mazhorancës në zgjedhjet lokale vihet re gjithnjë një ulje, ndërsa për opozitën këto zgjedhje janë gjithnjë një test. Deri më sot, opozita është ende 80 mijë vota larg asaj që ka pas Berisha para dy vitesh. Në Tiranë, Kosova ka më shumë vota se koalicioni që e mbështet atë. Koalicioni mbështetet nga 35 përqind e njerëzve, ndërsa Kosova ka 36 përqind mbështetje. E kundërta ndodh te mazhoranca. Veliaj ka 46 përqind të mbështetjes, ndërsa koalicioni ka 60 përqind. Sipas sondazheve, kandidati i pavarur, Gjergj Bojaxhiu merr 13 përqind”, tha ai.

Alfred Lela tha se sondazhet nuk duhen marrë për bazë dhe nganjëherë nuk shërbejnë as si pikë orientimi. Për këtë ai solli shembullin britanik, por edhe atë shqiptar gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, ku të gjitha sondazhet parashikonin një duel kokë më kokë mes dy koalicioneve më të mëdha.

Për Spartak Ngjelën, fushata nuk ka nisur ende. Ai vuri re mungesën e programeve nga kandidatët, të paktën deri më tani.

“Shoh që nuk kanë program. Harrojnë që nuk ëshë më qyteti, nuk kanë vetëm qytetin, kanë të gjtihë komunat. Flasin për të gjitha lagjet e qytetit dhe ndodh që në mijëra hektarë që janë djerrë… se ç’bëhet me gjithë pjesën tjetër që do të votojë për kryetairn e bashkisë, as që duan t’ja dinë. Nuk kanë program, sepse kanë rënë në befasi”, tha Ngjela.

Kreu i PLD-së shtoi se përzgjedhja e Veliajt prej Ramës, më shumë sesa për të marrë Bashkinë e Tiranës, është bërë për të mos humbur partinë.

“Sepse me Majkon rrezikonte partinë. Zgjodhi Erion Veliajn, sepse mund të fitojë bashkinë dhe nuk e rrezikon te partia. Këta janë refleks i votave të partisë”- tha Ngjela.

Alfred Lela tha se deri më tani Veliaj është përpjekur të fusë Kosovën në lojën e vet të fushatës, por pa ja dalë mbanë.

“Kosova është duke u treguar i mençur, duke vazhduar sikur PS dhe Veliaj nuk ekzistojnë. Veliaj është duke u përpjekur për ta nxjerë nga pakti Kosovën dhe për ta futur në vallen e vet stilistikore”, nënvizoi ai.

Eduard Zaloshnja tha se sukses për Kosovën do të jetë grumbullimi i më shumë se 120 mijë votave, aq sa kanë kapur në total në vitin 2013 partitë që e mbështesin atë. Zaloshnja tha se Veliaj hyn me një avantazh goxha të madh në garë, mbështetjen e partive që është plot 94 mijë vota diferencë, të paktën nga zgjedhjet e herës së fundit.

“Veliaj duhet të marrë mbi 50 përqind të votave, sepse koalicioni është 60 përqind”, u shpreh ai.

Top Channel