Ushtarët rusë të arrestuar në Ukrainë akuzohen për akte terroriste

19/05/2015 00:00

Tashmë në duart e policisë ukrainase janë dy ushtarë rusë, të cilët do të ndiqen penalisht për akuzën e “akteve terroriste”.

Në një video, të postuar nga Ministria e Brendshme e Kievit, një nga ushtarakët pohon se ai ka qenë i punësuar për një mision spiunazhi. Por, Kievi i akuzoi dy personat në fjalë edhe se kanë qenë pjesë e një grupi të veçantë që kanë vrarë dhe plagosur trupat ukrainase.

Në të njëjtën kohë me situatën që duket se ka dalë nga rrjedha e ujdisë së paqes, komisioneria europiane e Tregtisë, Cecilia Malmstrom tha se Rusia nuk e ka kërkuar që të shtyhet takimi i BE-së me Ukrainën mbi një pakt për tregtinë e lirë mes tyre.

“Reuters” citon Malmstrom duke thënë se të tre palët ranë dakord në një deklaratë të përbashkët, pas bisedimeve të tyre në Bruksel, se marrëveshja e tregtisë së lirë “do të zbatohet përkohësisht” nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe pala ruse nuk ka kërkuar të shtyhet takimi për marrëveshjen e tregtisë.

Top Channel