Tjetër “Calciopoli” në Itali, 50 të arrestuar mes të cilëve dy shqiptarë

19/05/2015 00:00

Një tjetër stuhi ka përfshirë futbollin italian, me skandalin e radhës të ndeshjeve të trukuara, që këtë herë ka përfshirë sezonin aktual të kategorive Lega Pro dhe Serie D, e që rrezikon të rishkruajë programin e kampionateve që do të vijnë.

Policia e vendit fqinj ka ndërmarrë një aksion të gjerë këtë të martë, për të zbatuar një seri urdhër-arrestesh të lëshuar nga prokurorët e Antimafias në Katanzaro të Kalabrisë.

Janë 50 personat e arrestuar, mes të cilëve dhe dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane me akuzën e trukimit të ndeshjeve në futbollin italian, kryesisht në Serinë D. Edmond Nerjaku dhe Erikson Aruçi janë arrestuar këtë të martë gjatë operacionit “Futbolli i pisët”, i cili është bërë në të njëjtën orë, në shumë qytete të vendit fqinj. Mediet italiane shkruajnë se Nerjaku ka qenë financues në trukimin e ndeshjeve, ndërsa Aruçi, bashkëpunëtor i ish-futbollistit Fabio Di Lauro.

Autoritetet italiane theksojnë se, mes të arrestuave janë ish-lojtarë, presidentë dhe drejtues klubesh të Serisë D dhe Lega Pro, ndërkohë që 80 janë personat e përfshirë në hetimin e Antimafias, që ka në bazë një familje mafioze kalabreze.

Të gjithë të arrestuarit e jo vetëm akuzohen për mashtrim sportiv të kryer në bashkëpunim. Operacioni ka përfshirë kontrolle e ndalime në 10 rajone, si: Lombardi, Veneto, Toskanë, Liguria, Emilia Romanja, Marke, Abruco, Kampania, Pulia dhe Kalabri.

Ndaj të arrestuarve, mes të cilëve ka edhe persona të huaj, rëndojnë akuza për përdorim të taktikave kriminale të stilit mafioz.

Mediat e vendit fqinj shtojnë më tej se, në pranga kanë rënë edhe një agjent policie dhe një eksponent i spikatur i mafias lokale, Ndrangheta, ndërkohë që kontrollet e autoriteteve janë shtrirë edhe në selitë e kompanive të futbollit.

Top Channel