Duma: Do të çojmë modelin e gruas në Bashkinë e Durrësit

19/05/2015 00:00

Kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit, Grida Duma, bashkëbisedoi me gra dhe vajza të qytetit, duke ndarë me ta modelin e gruas dhe nënës.

Në fjalën e saj, Duma tha se si nënë i kupton të gjitha vështirësitë e bashkëqytetareve të saj dhe vlerësoi se në këtë drejtim nuk është bërë sa duhet, ndërsa shtoi se modelin e gruas qytetare e të fisme do ta çojë në Bashkinë e Durrësit.

“Unë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh grua dhe të mbash pastërti kur dy metra larg është pis. Unë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh grua kur mbajmë gjykime që nuk na takojnë për gabimet e të tjerëve edhe kur u kemi dhënë dashuri.

Unë e kuptoj që është dhunë e madhe të mbash një fëmijë në apartament dhe të mos ketë asnjë vend ku të shkojë. Themi që fëmijët rrijnë me iPad dhe telefon, por ku do shkojnë? Ku është fusha sportive? Ku është një kënd lojërash që ai të rrijë me tre shokë, sepse është e rëndësishme të rrijë me shokë?

Unë e mbaj mend veten përpara se të bëhesha nënë dhe e di veten tani. Kemi këtu vajza të reja që, kur të bëhen nëna do ta ndjejnë se çfarë diferencë e madh është. Se si fillon të pushosh së menduari për veten.

Do ta çojmë modelin e gruas në Bashkinë e Durrësit në një model të fisëm e qytetar prej zonje. Është e vërtetë që ne duam më shumë investim tek pjesa e grave, të cilat për balancë historike i kanë dhënë më shumë se sa i kanë marrë shoqërisë. Vetëm për këtë arsye”, tha Duma.

Top Channel