Rama në Dibër: Ne kemi vizion të qartë. Opozita nuk ofron asgjë

19/05/2015 00:00

Në Dibër, një fabrikë moderne e prodhimit të lëngjeve bio, pas një mbështetjeje nga AZHBR-ja me fonde për nxitjen e të tilla bizneseve agro-përpunuese, tani synon të rrisë prodhimin për eksport dhe punësimin. Ajo u vizitua nga kryeministri Rama.

“Do fillojmë bashkëpunimin me fermerët, që të prodhojmë dhe të shesim produktin. Vendet e punës do jenë me mijëra. Sepse siç është Dibra, është edhe Korça, sepse ky produkt do vijë edhe nga Korça. Shkojnë deri në 1500 vende pune, që janë zinxhir, duke thënë nga një të punësuar për familje, se mund të jenë edhe tre a katër për familje. Sa vinte Berisha në Maqellarë, populli thoshte rrugën e Arbrit. Nuk e bëri. Normalisht duhet ta kishte bërë”, deklaroi pronari i fabrikës.

“Ai. Shko pyet atë, sepse ti ia ke dhënë votën, jo unë. Rrugën e Arbërit e kemi kaluar në Parlament, por duhet ta plotësojmë me mbështetje për bujqësinë”, tha kryeministri Rama.

Ndërkohë, në kuadër të turit për prezantimin e kandidatëve, kryeministri Rama u ndal në Lezhë. Sikurse në takimet e mëparshme elektorale, Rama u bëri thirrje banorëve që të votojnë për kandidatin e ASHE-së, ndërsa nxitoi të kërkonte votën edhe për anëtarët e këshillit bashkiak.

“Viktor Tusha është 100 për qind kandidati i PS dhe LSI, por edhe kandidat i gjithë partive të koalicionit. Ai duhet të ketë mbështetjen më të madhe në këshillin bashkiak, ndaj dhe PS dhe LSI do të punojnë për këtë. Më 21 qershor vota juaj duhet të shkojë në drejtimin e duhur. Përveçse për kandidatin e duhur duhet të votohet edhe për listën e këshilltarëve”, tha Rama.

Ai u shpreh se, në çdo ditë të kësaj fushate, koalicioni i majtë po thellon dallimin me kundërshtarët, që bëjnë sipas tij fushatë sherri e sharjesh për qeverinë.

“Por kjo nuk është fushata për 21 qershorin. Fushata është për kandidatin që do të punojë më mirë për komunitetin. Opozita po mundohet të mbledhë vota pakënaqësie”, tha Rama.

Më herët këtë të martë Rama prezantoi edhe kandidatin e koalicionit të majtë në Rrëshen, Ndrec Dedaj.

“Ne kemi një vizion të qartë për qytetet dhe fshatrat. Ndërsa kandidati kundërshtar nuk ka asnjë haber se çfarë duhet bërë që komunitetet të jetojnë më mirë. Asnjë kryetar komune nga PD-ja nuk ka bërë përçapjen më të vogël për të bashkëpunuar me qeverinë. Ata janë kandidatë vetëm për sherr, për të thënë ‘qeveri e poshtër’ dhe bëjnë premtime që nuk kanë lidhje fare me zgjedhjet lokale, si çmimi i dritave për shembull. Ç’lidhje ka çmimi i dritave me zgjedhjet lokale?”, u shpreh Rama.

Ai shtoi më tej se, qeveria ka përgatitur reformën e ujit dhe po pret përfundimin e zgjedhjeve, sepse varet nga reformimi i territorit.

Rama premtoi gjithashtu zgjidhjen e problemit të mbeturinave urbane në bashki e komuna. “Bashkitë  e reja kanë mundësi të bëjnë një sistem të ri për menaxhimin e mbetjeve urbane”, tha Rama.

Top Channel