Kosova injoron akuzat ndaj tij: Janë fjalë fushate

19/05/2015 00:00

Në përkufizimin e Halim Kosovës, stacioni multimodal në hyrje të Tiranës është një investim që mbahet peng nga konflikti politik.

Nëse ky projekt do të realizohet, hapen 1200 vende pune, u shërbehet 60 mijë qytetarëve, reduktohet ndjeshëm ndotja në qytet dhe mbi të gjitha ka një çlirim të trafikut të kryeqytetit.

Si realizohet projekti i bllokuar në Këshillin Bashkiak? Halim Kosova e ka përgjigjen e thjeshtë: Duke votuar për të dhe për Partinë Demokratike.

“Bashkia e ardhshme e Tiranës do të bëjë të mundur që mos të vonohet asnjë minutë më tepër ky projekt kaq i domosdoshëm për qytetin dhe qytetarët”, u shpreh Kosova.

Edhe kur e pyesin qytetarët si ndjehet kur dëgjon akuzat e kundërshtarëve, Halim Kosova këmbëngul ta mbajë larg konfliktin politik: “Pavarësisht se ata bëjnë trajnime në grup sesi të më sulmojnë, unë them se gjërat e fushatës janë fjalë pa vlerë, janë sajesa. Aty e kanë shtetin, le t’i shohin deri në fund. Nëse është fjala për të debatuar për një projekt për të mirën e qytetarëve, më kanë në fushë të betejës dhe nuk dal pa fitore. Kur më thonë gjëra personale, them se ky është karakteri”.
 
Halim Kosova thotë se ka pranuar të kandidojë për Bashkinë e Tiranës duke e konsideruar këtë vendim si një shërbim në kohën e duhur për qytetin. Ndërsa, nga qytetarët pret që më 21 qershor t’i shërbejnë qytetit me votën e tyre, të pa ndikuar nga ofertat apo presionet për blerje vote.

“Mos mendoni për një ditë apo një javë, por për katër vjet sepse kjo është rruga e sigurtë, me punë dhe dinjitet i ktheni të mira për familjen dhe qytetin”, u shpreh Kosova.

Top Channel