“Kathimerini”: Tirana vë në dyshim kufijtë me Greqinë

19/05/2015 00:00

Brenda 48 orësh, pas artikullit të së dielës në gazetën “To Vima”, një shkrim i ri në shtypin grek, këtë herë nga e përditshmja “Kathimerini”, u dedikohet mosmarrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e zonave të kërkimeve të naftës, duke bërë dhe komentet përkatëse për këto zhvillime që i cilëson si politikë të qëllimshme nga ana e Tiranës.

Në artikullin me titull “Tirana vë në dyshim kufijtë”, “Kathimerini” thekson se qeveria shqiptare me notë-protestën ndaj Athinës javën e kaluar, me të cilën kërkonte ndryshimin e programit të kërkimeve të naftës në detin Jon, pasi shkelen kufijtë detarë të Shqipërisë, ka kërkuar edhe hartën tokësore të kërkimeve, duke vënë në tryezë edhe çështjen e kufijve tokësore midis dy vendeve.

Gazeta u referohet burimeve diplomatike greke, që deklarojnë se kjo është një përpjekje që vë në dyshim kufijtë dhe një lëvizje politike nga ana e Shqipërisë, që implikon në mënyrë të rrezikshme marrëdhëniet dypalëshe.

“Kathimerini” vëren se edhe ministri i Jashtëm i Greqisë dhe gjithë qeveria “Tsipras” ndjekin me mefshtësi tensionimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe forcimin e përgjithshëm të tendencave destabilizuese në Ballkanin perëndimor.

Të njëjtat burime thonë se këto veprime të Tiranës janë pjesë e një konteksti më të gjerë, në të cilin lëviz sistemi politik shqiptar, për të shfaqur vizionin e “Shqipërisë së Madhe”.

Të njëjtat harta me zonat kërkimore mbi Janinë janë publikuar prej vitit 2011, por atëherë nuk pati asnjë reagim shqiptar, ndaj ka dyshime, – thekson gazeta – se pas lëvizjeve të Tiranës ndodhet Ankaraja.

Elementi i ri që gjeneron dyshimet se Turqia kërkon të krijojë një front kundër Greqisë është takimi i Presidentit Erdogan me partine e çamëve, PDIU, gjatë vizitës së tij në Tiranë, – theksojnë burimet diplomatike.

Në qarqet e Ministrisë së Jashtme në Athinë tashmë diskutohet se kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, nuk duhet të anulojë vizitën e tij në Tiranë, në konferencën e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Juglindor, më 22 maj, pasi kështu sfidat shqiptare nuk marrin përgjigje.

“Kathimerini” ka informacion se ndoshta në samitin e lartë ndërballkanik tre ditë më vonë në kryeqytetin shqiptar do të marrë pjesë vetë kryeministri Tsipras.

Pas zhvillimeve në Qipron e Veriut, atyre në Kumanovë dhe kërkesës së Tiranës për ndryshimin e programit të kërkimeve të naftës, deputetët e Demokracisë së Re kanë kërkuar urgjentisht mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbrojtjen dhe Politikat e Jashtme.

Top Channel