“Përplasjet” e trageteve në Vlorë, nuk ka vend në port

19/05/2015 00:00

Në Portin e Vlorës ka një fluks në rritje të kërkesave për udhëtime me traget. Por, shtimi i një linje të re i gjeti të papërgatitur autoritetet e portit, të cilat prej disa ditësh lënë në radë tragetin e linjës së re me arsyetimin se nuk ka orar për t’u ankoruar në kalatë.

6 orë janë lënë në det pasagjerët ditën e martë, pasi trageti mbërriti në orën 6 të mëngjesit, por zbritja ka nisur vetëm në orën 12:00. Për këtë, pasagjerët janë shprehur të irrituar.

“Nuk na japin asnjë shpjegim, nuk morëm vesh asgjë. Kapiteni thotë e ka fajin drejtori i portit, drejtori thotë e ka fajin kapiteni. Kanë një javë që kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe e hamë ne”, thonë pasagjerët.

Drejtuesit e Kapitenerisë së Portit të Vlorës thonë se këtë problem e ka krijuar linja e re e vendosur. Sipas tyre, është një urdhër i ministrit të Transporteve që në port të përpunohet vetëm një traget për të evituar problemet.

Zgjidhja, sipas Kapitenerisë së portit, është përpunimi vetëm i një trageti në ditë.

Top Channel