Mustafa: Nuk kishim informacion për “Kumanovën”, duhet hetim ndërkombëtar

19/05/2015 00:00

Në një deklaratë për shtyp, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shpreh shqetësimin lidhur me ato që i quan “tendenca për manipulimin e opinionit se gjoja kryeministri ka pasur informata nga AKI, lidhur me ngjarjet që mund të ndodhnin në Kumanovë”.

“Sigurojmë opinionin që, nëse Kryeministri i Republikës së Kosovës do të dispononte informata të tilla, jo vetëm që me urgjencë do të kërkohej nga institucionet e sigurisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet parandaluese, por një gjë e tillë do të kërkohej edhe nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë, me qëllim parandalimin e humbjes së jetës së njerëzve dhe dëmtimit të pronës”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Kryeministri i Kosovës apelon për përmbajtje nga ndërhyrjet në punën e pavarur të organeve të drejtësisë, duke konsideruar se “ndërhyrjet e tilla nuk i shërbejnë sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilin do të duhej të ishim të përkushtuar të gjithë”.

Kryeministri Mustafa apelon për një hetim të pavarur, objektiv dhe gjithëpërfshirës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe pasojave që kanë rezultuar me viktima në njerëz dhe dëme të shumta të pronave. Gjithashtu, ai apelon që, për shkak të rrethanave, ky hetim të mbështetet edhe nga organet e drejtësisë ndërkombëtare.

Top Channel