Kosovë, 16 vjet nga masakra e Dubravës

19/05/2015 00:00

Në 16-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, dy nga ish-të burgosurit kujtojnë tmerrin e përjetuar, ku mbetën të vrarë rreth 120 të burgosur shqiptarë e mbi 300 të tjerë të plagosur.

Në Maj të vitit 1999, forcat serbe dërguan të burgosur shqiptarë në burgun e Dubravës, për të cilin kishin dijeni se do të bombardohej nga avionët e NATO-s, pasi aty ishin të pozicionuara ushtria, policia dhe paraushtarakët serbë.

“Mbajtja nëpër burgje e shqiptarëve dhe bartja e tyre në Burgun e Dubravës ka qenë me urdhër nga kreu i shtetit dhe ministri i Drejtësisë. Bartja në Burgun e Dubravës, e të burgosurve nga Burgu i Mitrovicës së Stremit, ai i Nishit, Gjilanit, Prizrenit, Pejës dhe i Prishtinës ka qenë përgatitje e planifikuar për masakër në Burgun e Dubravës. Këtë e kanë bërë udhëheqësit e shtetit serb, madje më 26 Prill, nga Burgu i Mitrovicës së Stremit jemi transferuar drejtpërdrejt me autobus 64 të burgosur, pikërisht drejt Burgut të Dubravës. Në mungesë të bartjes së plotë na kanë ndaluar në Burgun e Nishit, ku kemi qëndruar nga data 26 deri më 29. Bashkë me të burgosurit nga Burgu i Nishit, na kanë transportuar më pas me 3 autobusë në Burgun e Dubravës. Më 29 kemi mbërritur atje, ku jemi trajtuar si kafshët. Në format më ç’njerëzore të mundshme, që ekzistojnë në pjesën e torturës”, tha Nait Hasani, ish-i burgosur politik.

Sipas Hasanit, edhe pse dihen emrat e autorëve të këtij krimi, as institucionet e Kosovës e as EULEX nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, me arsyen se nuk kanë kompentenca jashtë territorit të Kosovës. Ai shton se, nuk beson më në drejtësinë kosovare e as atë evropiane.

Bislim Zogaj është një i mbijetuar tjetër i kësaj masakre, që asokohe ka kryer funksionin e mjekut.

“Përveç dhënies së ndihmës të parë, jam munduar të marr edhe evidenca. Në datën 22, në orën 18:00, kam evidentuar 190 të shtrirë, që do të thotë se ishin të palëvizshëm dhe me plagë shumë të rënda. Ne kemi arritur që t’u japim ndihmën e parë të gjithë atyre, dhe t’ua lehtësonim sadopak dhimbjet. Megjithatë, qëllimi ynë kryesor ishte që t’u ndalnim gjakderdhjen dhe të bënim gjithçka mundeshim për të shpëtuar ndonjë jetë”, tha Bislim Zogaj, ish i burgosur.

Bombardimet në Burgun e Dubravës kanë ndodhur nga 19, deri më 25 Maj të vitit 1999.

Top Channel