Nuk ka leje për të dënuarit gjatë zgjedhjeve, ndalohen edhe transferimet

19/05/2015 00:00

Kur na ndajnë pak orë nga çelja e fushatës për zgjedhjet lokale, burgjet në vend përforcojnë masat e sigurisë.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, në një takim të posaçëm me drejtues të sistemit penitenciar, njoftoi se gjatë kësaj periudhe ndalohet dhënia e lejeve shpërblyese për të dënuarit, në mënyrë që të shmangen ndërhyrjet e dyshimta.

“Nga ana jonë është urdhëruar pezullimi i të gjitha lejeve shpërblyese nga data 21 maj deri në 1 korrik. Dhe në përputhje të plotë me ligjin, pas kësaj date do të vijojë normalisht sipas planifikimit të bërë që në fillim të vitit, për të gjithë ata të dënuar që përfitojnë këtë leje shpërblyese në përputhje të plotë me ligjin”, tha ministri Naço.

Nga ky urdhër përjashtohen vetëm lejet e veçanta që do të jepen për raste fatkeqësish familjare. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe do të ndalohen transferimet nga një burg në tjetrin.

Në zgjedhjet vendore të qershorit pritet të votojnë gati pesë mijë të dënuar e të paraburgosur në 22 qendra votimi që do të ngrihen në çdo burg.

Top Channel