Turqi, qëllohet vajza që “turpëroi” fshatin

19/05/2015 00:00

Mutlu Kaya, një 19- vjeçare e bukur dhe e talentuar turke, po lufton me vdekjen në spital që prej të dielës mbrëma. Vajza është qëlluar me plumb në kokë në shtëpinë e saj, në provincën juglindore të Diarbakirit.

Arsyeja e aktit ekstrem: ndëshkim për faktin se ishte paraqitur në një spektakël televiziv të zbulimit të talenteve te reja, Sesi Cok Guzel.

Agresori thuhet të ketë hyrë në kopshtin e shtëpisë së vajzës e ta ketë qëlluar nga dritarja. Diarbakiri është ndoshta një nga rajonet me konservatore të Turqisë dhe Kaya duket se kishte marrë disa kërcënime me vdekje nga persona që i kërkonin të mos këndonte në televizion.

Një person është arrestuar nga policia si i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë, por nuk ka ende të dhëna të tjera nga hetimi.

19- vjeçaren e kishte vizituar në fund të marsit këngëtarja e njohur popullore turke Sibel Can, e cila i ka kërkuar të marrë pjesë në show, pasi e kishte dëgjuar më parë në prova.

Vetëm pak ditë më vonë, kërcënimet kanë nisur të vërshojnë, aq sa e kanë shtyrë Mutlu-un t’u shprehte frikën e saj edhe organizatorëve të spektaklit.

Dhuna ndaj femrave mbetet një plagë e vërtetë për shoqërinë turke. Sipas grupit “Stop Women Homicides”, 294 gra turke janë vrarë në 2014-n; 47% e tyre vetëm për faktin se kanë kërkuar të marrin vendime të pavarura.

Top Channel