Mjekë shqiptarë në kërkimet klinike, për herë të parë me mjekë të BE-së

19/05/2015 00:00

Për herë të parë, mjekë të shërbimit të Pediatrisë përfshihen në kërkime klinike në nivel europian, financuar nga Komisioni Europian. Në këtë kërkim klinik marrin pjesë 28 qendra nga e gjithë Europa, të cilët këtë radhë janë fokusuar në terapinë e pacientëve të vegjël me probleme të hemoglobinës në gjak.

Sipas prof. Anila Godo, ky kërkim përveçse mund të dalë në konkluzion për një formulë të re trajtimi, i bën mjekët shqiptarë që me profesionalizmin e tyre të renditen mes kolegëve të tyre në Europë.

“Rëndësia e kërkimit shkencor klinik në fushat e shëndetësisë do të thotë që ti të kërkosh një strategji më të mirë diagnostike, një strategji më të mirë terapeutike dhe preventive. Do të thotë që ti të tentosh për një standard më të lartë. Pra, kërkimi klinik ose do të tregojë për një formulë, aparaturë, ose për një sjellje të veçantë që na jep benefite, në krahasim me risqet, dhe ne do të fusim një standard më të lartë. Ose do të na tregojë që nuk është kështu dhe ne do të mënjanojmë këtë medikament, pra gjithmonë është mjaft përfituese për shërbimin që ne ofrojmë”, thotë prof. Anila Godo.

Drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, e pranishme në asamblenë e dytë të këtij studimi, që këtë radhë u zhvillua në Tiranë, vlerësoi profesionalizmin e ekipit mjekësor në shërbimin e pediatrisë dhe garantoi mbështetjen e QSUT-së për të nxitur kërkimin në fushën e shëndetësisë si pediatri, kardiologji, onkologji e të tjera.

“Prioritet në qendrën tonë spitalore u kemi dhënë disa çështjeve të nxehta; të përmirësojmë situatën e spitalit me barna, të vëmë në punë pajisjet mjekësore, të blejmë aparatura të reja dhe t’i mirëmbajmë ato. Gjithsesi, pa lënë në asnjë moment projekte që kanë të bëjnë me kërkimin klinik dhe që janë në një nivel më të lartë specializimi për qendrën tonë”, tha Manastirliu.

Studimi klinik i radhës merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se numërohen një numër jo i vogël i fëmijëve me talasemi, hemofili apo sëmundje të tjera që lidhen me problemet e hemoglobinës në gjak.

Top Channel