Një vit pas tërmetit në Dumre, asnjë kompensim. Mbi 400 shtëpi të pabanueshme

19/05/2015 00:00

Edhe pse ka kaluar 1 vit, situata paraqitet emergjente për shumë familje, të cilat u rikthyen në këto ndërtesa të cilësuara të pabanueshme. Ata jetojnë çdo ditë me frikën që i ka shoqëruar gjithë këto kohë se një lëkundje tjetër mund të jetë fatale.

Fëmijë e të rritur qëndrojnë në këto kushte, duke duke zënë të çarat e mureve me rroba dhe duke pritur shiun me plastmasë e kova.

Bashkia e Cërrikut strehoi në banesa më qira 4 familje në situatë më të rëndë. Ato qëndruan aty deri në dhjetor të vitit 2014, për rreth 6 muaj, sipas afateve të parashikuara në ligj.

Pas këtij afati, ky institucion nuk pagoi me qiratë duke bërë që qiradhënësi të largonte këto familje. Ata u rikthyen në banesat e tyre që, edhe pse të shkatërruara, ishin e vetmja strehë e mundshme.

Në situatë të vështirë, edhe pse jo kaq të rëndë, paraqiten edhe të prekurit e tjerë nga tërmeti. Të paktë janë ata që kanë mundur të rikonstruktojnë banesat me mundësitë e tyre.

Top Channel