Ndotja akustike; Tirana problematike, Korça brenda standardeve europiane

19/05/2015 00:00

Në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2014, i cili është zhvilluar në 5 qytete të vendit, ka rezultuar se Tirana vijon të ketë nivelin më të lartë të zhurmave.

Matjet e zhvilluara në 15 pika të rëndësishme të kryeqytetit tregojnë se, ndotja më e lartë akustike është regjistruar te “Rruga e Elbasanit” gjatë ditës, ku niveli i zhurmave është 74.3 decibel.

Numri i lartë i automjeteve, por edhe trafiku i mbingarkuar kanë sjellë një gjendje të rënduar pranë zonës së Laprakës, te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, si dhe përreth sheshit “Skënderbej”, ku niveli i zhurmave është 71.5 decibel.

Këto shifra janë ndjeshëm shumë më lart se standardi i BE-së për zhurmat, që për ditën llogaritet në 55 decibel.

Por, edhe pse Tirana kryeson në këtë listë për nivelin e zhurmave, nëse do të bëjmë një krahasim me vitin 2008 dhe vitin 2011, në të gjitha pikat ka një ulje të lehtë të ndotjes akustike.

Të njëjtat rezultate janë vënë re edhe në qytetin e Fierit dhe atë të Vlorës, ku është shënuar një ulje e nivelit të ndotjes akustike, në krahasim me 4 vite më parë. Në Fier, sipas rezultateve të matjeve, vihet re se në të 4 pikat, ku qarkullimi i automjeteve është më i madh, ka një rënie me 3 deri në 4 decibel.

Korça mbetet një ndër qytetet më të qeta në vend, ku niveli i zhurmave është brenda standardeve të Bashkimit Europian, pasi në të 4 pikat, ku lëvizja është më e madhe dhe ku është bërë matja, niveli i zhurmave nuk është më i lartë se 45 decibel.

Edhe Saranda ka një ulje të zhurmave në krahasim me vitin 2008. Matjet e nivelit të zhurmave dëshmojnë se ndotja akustike gjatë ditës është pak më e lartë se norma e Bashkimit Europian, ndërsa gjatë natës zhurmat janë në nivelin kufi të vendosur nga BE.

Vlora mbetet një ndër qytetet e zhurmshme gjatë ditës, edhe pse më e qetë se gjate vitit 2008. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, rezulton se pika me ndotjen më të lartë akustike është pranë “Ujit të Ftohtë”, ku niveli i zhurmave është 67.2 decibel, nga 55 që është norma e Bashkimit Europian.

Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit kanë saktësuar se, edhe pse ka një rënie të nivelit të zhurmave në krahasim me 4 vite më parë, duhet që mes zonave të banuara dhe rrugëve kryesore të ketë më shumë sipërfaqe të gjelbërta, si dhe të përcaktohen me rregullore distancat mes rrugëve dhe banesave.

Niveli i zhurmave ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve, pasi është një ndër shkaktarët e stresit dhe një sërë shqetësimeve të tjera të njerëzve.

Top Channel