Katastrofë humanitare në Azi. Klandestinët enden nëpër det, askush nuk i pranon

19/05/2015 00:00

Është një katastrofë humanitare aq e madhe, sa askush nuk i di përmasat e saj të vërteta. Me mijëra emigrantë janë të bllokuar në det dhe udhëheqësit e vendeve të Azisë Juglindore refuzojnë t’u hapin dyert.

Asnjë organizatë mes UNHCR-së, IOM-it apo grupeve për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit Rohingya, nuk e kanë idenë se sa anije me klandestinë mund të jenë atje. Numri i të mbeturve në mëshirën e dallgëve thjesht vlerësohet në disa mijëra.

Krerët rajonalë nuk u lëkundën as nga apelet e shefit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve të shpëtimit të personave në rrezik.

Malajzia, Tajlanda dhe Indonezia refuzojnë kategorikisht pranimin e emigrantëve, për të cilët diku nga mesi i javës së kaluar morën vetëm angazhimin t’u ofrojnë ujë dhe ushqime aty ku ndodhen.

CNN thotë se anijet e mbushura me klandestinë po përpiqen t’u shmangen Rojeve Bregdetare, ndërsa vetë njerëzit në bordin e tyre janë kthyer në pengje të trafikantëve. Shumë nga këta të fundit u kërkojnë refugjatëve të mos pranojnë zbritjen në tokë, përveçse në Malajzi.

Kjo, për shkak se ata vetë mund të jenë tajlandezë dhe duan të shmangin rënien në sy. Të vetmit deri tani, që ofrojnë një rreze shprese për klandestinët e dëshpëruar janë Filipinet. Edhe pse gjeografikisht larg nga epiqendra e krizës humanitare, Manila ofroi të drejta zbarkimi për këtë kontigjent, duke u bërë i pari vend i rajonit, që krijon mundësinë e një parajse të sigurt për mijëra të pafatët në det.

Top Channel