Çmimi Madh i Monakosë, Vettel: Jam gati, s’lejohen gabimet

19/05/2015 00:00

Çmimi i Madh i Monakosë po afron dhe skuderitë kanë shtuar ritmin e përgatitjeve. Piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, që gjendet i treti në renditjen e përgjithshme, e di shumë mirë rëndësinë që ka kjo garë. Ai është shprehur se në këtë pistë nuk lejohet as gabimi më i vogël.

“Në pistën e Monakosë nuk lejohet asnjë gabim. Aty garohet në rrugë shumë të ngushta, prandaj përqendrimi duhet të jetë maksimal. Në këtë garë duhet të japësh 100%, sepse edhe parakalimet janë të pamundura”-, është shprehur gjermani.

Sebastian Vettel, që është mbrapa Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg në klasifikim, ka treguar edhe për kthesat e forta të Montecarlo-s, të cilat sipas tij, kërkojnë perfeksion në mënyrë që të mos e shohësh veten mbrapa të tjerëve.

“E thashë që pista e Montecarlo-s kërkon 100% përqendrim sepse nëse nisesh prapa, duhet të luftosh në çdo moment për të fituar ndonjë pozicion, ndërsa nëse je përpara nuk mund t’i lejosh vetes të shpërqendrohesh për asnjë çast. Në kthesat e forta të Montecarlo-s duhet të jesh i shpejtë, por edhe i aftë, sepse gabimi më i vogël mund të të kushtojë rëndë”-, u shpreh piloti i Ferrarit.

Top Channel