Pas mitingut në mbështetje të pushtetit, përkrahësit e partisë maqedonase VMRO-DPMNE, kanë ngritur tenda para godinës së Parlamentit në Shkup, si kundërpërgjigje ndaj protestuesve të opozitës që janë vendosur para selisë së qeverisë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeminstrit.

Përkrahësit e Gruevskit thonë se po protestojnë në mënyrë të qetë kundër skenarëve të opozitës maqedonase për destabilizimin e vendit. Ata theksojnë se do të qëndrojnë para Parlamentit për të mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e shumicës së votuesve në Maqedoni.

“Këtu jemi prej mbrëmë pas mitingut të madh të VMRO-DPMNE-së, dhe po qëndrojnë këtu për të treguar se për dallim nga ata që po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, ka edhe shumë qytetarë që mbështesin maksimalisht qeverinë e Gruevskit”, tha një qytetar.

“Këtu jemi për t’u dhënë mbështetje të gjitha reformave që ka realizuar qeveria. Të mbështesim nismat për investime të reja dhe vende të reja të punës. Njëkohësisht, porosisim opozitën të ndëpresë skenarët e destabilizimit, dhe do të qëndrojmë këtu derisa ata të largohen nga sheshi i godinës së qeverisë”, shtoi një tjetër.
 
Ngritja e tendave para Parlamentit nga mbështetësit e Gruevskit nuk i ka frikësuar protestuesit që po kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit. Demonstruesit opozitare theksojnë se çdo ditë po rritet numri i tendave para qeverisë, prej ku nuk do të largohen deri në largimin e Gruevskit.

“Ata duan të mbjellin frikë mes demonstruesve. Këtu mbizotëron atmosferë pozitive. Nuk besoj që mund të na frikësojnë dhe të na detyrojnë t’i largojmë tendat. Nuk e di pse bëjnë kundër protesta, nuk e kuptoj arsyen e tyre”, tha një mbështetës i opozitës.
 
“Nuk mund ta kuptoj pse ata protestojnë, ndërkohë që ndodhen në qeveri?! Ne jemi kundër qeverisë. Ata paguhen për të qëndruar atje”, shtoi një tjetër.

Gazetari Suat Saqipi vlerëson se zhvillimet e fundit paraqesin kërcënim mbi sigurinë e vendit. Sipas tij, ngjarje të tilla si në Maqedoni, nuk ndodhin askund në botë.

“Është normale në gjithë botën demokratike protestat të organizohen nga opozita dhe këtë që e bëri mbrëmë partia maqedonase në pushtet është kërcënim për rendin dhe sigurinë në vend. Kjo që ndodh nuk është normale”, tha ai.

Ndërkohë, mësohet se simpatizantët e VMRO-DPMNE-së kanë ngritur tenda edhe para komunës së Strumicës, që drejtohet nga lideri i opozitës. Zoran Zaev.

Top Channel