Shtrëngimi historik i duarve, Princi Çarls takon Gerry Adams, udhëheqësi i Sinn Fein

19/05/2015 00:00

Princi Çarls i shtrëngoi dorën Gerry Adams-it, udhëheqësit historik të Sinn Fein, krahu politik i IRA-s, grupit të armatosur irlandez, që për dekada me radhë luftoi kundër Mbretërisë Britanike në Irlandën e Veriut.

Takimi historik, i pari i Adams me një pjesëtar të familjes mbretërore, ndodhi të martën gjatë një ceremonie në Universitetin Kombëtar të Irlandës, në Galway.

Princi i shtrëngoi dorën njërit prej njerëzve që besohet se ka qenë pjesë e këshillit suprem që mori vendimin për vrasjen e xhaxhait të Çarls në vitin 1979. Lordi Louis Mountbatten gjeti vdekjen pas shpërthimit të anijes së tij, pranë Gjirit Mullaghmore.

Vetë Adams mohon të ketë qenë pjesë e këtij vendimi, por veteranë të IRA-s dhe të lëvizjes republikane në Irlandën e Veriut, deklarojnë të kundërtën.

Megjithatë, duket se tashmë të dyja palët kanë hedhur pas të shkuarën dhe prej disa vitesh IRA ka ulur armët. Këtë e tregon edhe vizita simbolike e Princit Çarls në Irlandën e Veriut, por edhe deklaratat e Gerry Adams, i cili nga një politikan radikal që mbështeste dhe mbronte sulmet e armatosura të IRA-s, sot flet për një “shkrirje të marrëdhënieve” mes irlandezëve dhe pjesës tjetër të britanikëve.

Top Channel