Ekstremizmi, Tahiri: Nuk jemi imunë. Rreziku është aty

19/05/2015 00:00

Në përfundim të ditës së parë të Ministerialit treditor Rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm, që po mbahet në Tiranë, Nënsekretarja Amerikane e Shtetit, Sarah Sewall dhe ministri i Brendshem, Saimir Tahiri, kanë theksuar rëndësinë e luftës ndaj këtij fenomeni.

“Kundërpërgjigjia pas ndodhjes së gjerave dhe përdorimi i forcave ushtarake dhe atyre inteligjete vetëm, nuk do të parandalojë rritjen e brezave të rinj të ekstremizmit. Në Samitin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë ne vumë theksin tek vëzhgimi i shkaqeve që i shtyjnë ata dhe përfshijen e të gjithë faktorëve të shoqërisë për t’i adresuar ato. Këtu, nën drejtimin e Shqipërisë u mbajt samiti i parë rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm, dhe që në ditën e tij të parë ishte një sukses i madh dhe një mbështetje e qëndrimit ndërkombëtar. Në samitin e sotëm pati një fokus rajonal me shumë liderë të rëndësishëm të rajonit me përfaqësues të ndryshëm të Qeverisë dhe të shoqërisë, duke u mbledhur bashkë e për të ndarë praktikat më të mira. Gjithashtu për të diskutuar sesi mund të zhvillohen planet kombëtare apo strategjike kombëtare. Jam e impresionuar të mësoj që Shqipëria ka nisur të hartojë strategjinë e saj për ekstremizmin e dhunshëm dhe mezi po presim të shohim më shumë rreth saj dhe sesi do të finalizohet. Por, siç mësova nga ministri Tahiri, ajo është mësë shumti e foksuar në përfshirjen e shoqërisë duke menduar sesi të mbrojmë komunitetin dhe gjeneratën tjetër të fëmijëve nga rekrutimi”- deklaroi Sewall.

Nga ana e tij, Ministri Tahiri theksoi se asnjë vend nuk është imun ndaj ekstremizmit të dhunshëm, por ka mekanizma për luftimin e tij.

“Askush nuk është imun nga rreziku i ekstremizmit. Shqipëria duket sikur nuk ka probleme me ekstremizmin e dhunshëm dhe duket se rajoni sot vetëm eksporton luftatarë të huaj, por premisat që ekstremizmi të kthehet në problem në shtëpinë tonë janë aty. Terrorizmi luftohet me edukim, arsim, rritje ekonomike, që janë armë shumë më efektive kundër cdo force ekstremiste në cdo cep të globit”- tha Tahiri.

Larg vëmendjes së mediave nuk mbeti as situata në Maqedoni, ku nënsekretarja Amerikane e Shtetit, u shpreh qartë se Uashingtoni i ka bërë thirrje qeverisë maqedonase për lejimin e lirisë së qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre, por njëkohisht i kanë kërkuar dhe opozitës kthimin në Parlament, për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ndërkaq, i pranishëm në këtë ministerial ishte dhe zv.ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Zemir Qamili, i cili pavarësisht këmbënmguljes së medieve për një prononcim lidhur me situatën në Maqedoni, nuk ka pranuar ta bëjë këtë.

Top Channel