Britani, rekord negativ i inflacionit, për prillin -0.1 për qind

19/05/2015 00:00

Inflacioni në Britaninë e Madhe ra nën zero në muajin prill, një fenomen që nuk ishte parë në ekonominë e Mbretërisë, që prej vitit 1960.

Zyra Kombëtare e Statistikave publikoi të dhënat që flasin për një shifër negative, -0.1 përqind për muajin e kaluar dhe për këtë thotë se ndikoi më së shumti një faktor, ai që ka të bëjë me rënien e fluksit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave nga ajri dhe deti.

Shifra shihet shqetësuese për një pjesë të analistëve, që e lidhin këtë me rënien e konsumit. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney thotë se në muajt e ardhshëm inflacioni të kalojë në kuota pozitive, ndonëse minimale, për të mbërritur ngadalë tek objektivi i vendosur, që është 2 për qind.

Sekretari i Thesarit, George Osborne tha se të dhënat e inflacionit nuk duhet të ngatërrohen me “dëmet e deflacionit”. Ai shtoi se ulja e kostos së jetesës, si pasojë e uljes së çmimit të naftës, ka lehtësuar xhepat e shumë familjeve në një kohë kur rroga mesatare sapo ka nisur të ringrihet.

Ekonomistët parashikojnë që rënia e çmimeve të jetë e përkohëshme dhe se ajo do të ndihmojë në rritjen e konsumit.

Top Channel