Prokuroria e Kosovës: Hetimet tona, para ngjarjeve në Kumanovë

19/05/2015 00:00

Prokuroria e Kosovës, edhe pse pa dhënë detaje, sqaron urdhrin për kontroll policor në disa vendndodhje në Kosovë, pas ngjarjeve në Kumanovë të Maqedonisë.

Hetimet për personat e dyshuar kanë filluar para ngjarjeve në Maqedoni, thuhet në një komunikatë për media.

“Prokuroria Speciale ka në shqyrtim një rast, për të cilin janë kryer bastisje nga Policia e Kosovës më 15 Maj 2015, kundër disa personave të dyshuar. Veprimet e para hetimore në këtë çështje kanë filluar para se të ndodhin ngjarjet e fundit në Maqedoni, për shkak të dyshimeve se disa persona kanë planifikuar kryerjen e disa veprave penale në vendin tonë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës.

Siç sqaron komunikata, në këtë rast mund të jenë të dyshuar personat e njëjtë, të cilët sipas informacioneve, që Prokuroria i ka pranuar nga mediet, mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarjet e ndodhura në Maqedoni.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bën të ditur se nuk mund të bëjë publike të dhëna të tjera, për shkak se çështjen e ka ende në fazë hetimesh.

Top Channel