Prezantohet “e-Albania”; Rama: Shërbime online për të shmangur korrupsionin

19/05/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin për prezantimin e portalit qeveritar “e-Albania”, ku shpalosi programin e Qeverisë për t’u ofruar qytetarëve të gjitha shërbimet përmes një ‘zyre online’.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se me këtë portal, qytetarët nuk do të kenë arsye që të shkojnë nga njëra zyrë në tjetrën për të zgjidhur punë, por do të mund të përftojnë shumë shërbime publike vetem nëpërmjet një kompiuteri ose telefoni. Sipas kryeministrit, kjo do të reduktojë në mënyrë drastike korrupsionin.

Rama foli gjithashtu për një projekt të financuar nga Banka Botërore, ku qytetarëve do t’u ofrohen të gjitha shërbimet që kanë nevojë, në një qendër te vetme.

“Jemi duke punuar me mbështetjen e Bankës Botërore për të mundësuar krijimin e bazës së të dhënave dhe ndërtimin e një infrastrukture të rëndësishme, përmes një qendre, një qendër tregtare shërbimesh që do të thotë se njerëzit nuk do të kenë më nevojë të shkojnë nga njëra zyrë në tjetrën, por do t’i kenë të gjitha shërbimet në një qendër të vetme tregtare, e cila do të funksionojë online”- tha Rama.

Kryeministri shtoi se synimi i projektit është të zhdukë korrupsionin nga zyrat shtetërore.

“Ky është një projekt që do të duhen disa vite, por besojm që nëse u japim qytetarëve në kompjuterin, në laptopin dhe në celularin e tyre këtë aktivitet, kemi arritur të transformojmë sistemin në Shqipëri, duke mbyllur epokën e korrupsionit idiot, një korrupsion helmues për Shqipërinë”- shtoi Rama.

Top Channel