Kosovë, Veseli “shmang” interesimin për Gjykatën Speciale

19/05/2015 00:00

Ndërkohë që krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, për autoritetet në Prishtinë është prioritet nacional, Gjykata Speciale mbetet një sfidë, që – siç thuhet – duhet kaluar me konsensus. Por, asnjë nga këto dy çështje, nuk e ka marrë ende drejtimin për t’u finalizuar.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, madje, duket se nuk ka dëshirë të pyetet për Gjykatën Speciale. Ai kërkoi nga gazetarët, që të mos shqetësohen për këtë dhe të fokusohen në çështjet e tjera, që janë në interes të qytetarëve.

“Shpresoj që të mos jeni shumë të shqetësuar, nëse procesi është duke lëvizur. Ajo që është më kryesore, mbetet se do të kemi një bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. E theksoj edhe njëherë, është shumë e rëndësishme të kemi konsensusin nacional. Kjo është edhe një thirrje, që bashkërisht të ulemi si spektër politik, që përmes një konsensusi të përbashkët ta kalojmë edhe këtë sfidë, që i paraqitet shtetit tonë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës. “Shpresoj shumë, që së shpejti të vijë edhe momenti kur të gjithë bashkërisht të mund të pushojmë. Kështu që, mos u shqetësoni as ju”.

Duke iu përgjigjur edhe më tej pyetjeve të gazetarëve për Gjykatën Speciale, edhe për faktin se Veseli është anëtar i grupit politik për këtë gjykatë, ai tha se prioritet është zhvillimi ekonomik.

“Më lejoni të theksoj në radhë të parë, se prioriteti ynë nacional duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qytearëve. Dëshiroj që pyetjet të jenë mbi prioritetet nacionale, që kanë të bëjnë me shqetësimin e qytetarëve”, tha Kadri Veseli, kryeparlamentar i Kosovës.

Nga ana tjetër opozita, që është kundër Gjykatës Speciale, kritikoi qeverinë për vonesa në procedimin e ligjit për krijimin e ushtrisë, duke shtuar se ky është një paralajmërim për pazare të reja në dëm të Kosovës.

“U vendos dhe ramë dakord, që Kuvendi të kërkojë sqarime nga qeveria, se përse ky ligj nuk është sjellë në Kuvend, kur kemi parasysh faktin se, në Prill të këtij viti ka qenë i gatshëm. Përderi sa ende nuk është proceduar në Këshillin e Ministrave, dyshimi i AAK-së është se ky hezitim për të sjellë ligjin në seancë, mund të sjellë lëshime të reja të dëmshme për vendin”, tha Donika Kadaj Bujupi.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i vlerësoi si pazare politike, zhvillimet që po ndodhin në raport me krijimin e FAK dhe Gjykatës Speciale. Është e rëndësishme, sipas tij, të votohet ushtria, para se të bëhet Gjykata Speciale.

“Në të vërtetë, po tregtohet krijimi i asaj që Kosovës i takon, e që është ushtria, me diçka që është në kurriz të interesave të kombit tonë, siç është persekutimi i UÇK-së”, tha Glauk Konjufca.

Dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK mohuan lidhjet mes këtyre dy çështjeve, pavarësisht faktit se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa votat e pakicës serbe.

Top Channel