Shqiptaret që shkëlqejnë në letërsinë italiane

19/05/2015 00:00

“Ua kushtoj çmimin dy nënave të mia: Shkodrës, qytetit tim të lindjes, nga i cili kam marrë lirinë e shpirtit; dhe Astit, qyteti që më dha flatra për të fluturuar”. Më këto fjalë, Amazona Hajdaraj përshëndeti gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit letrar “Lingua Madre”, i organizuar gjatë Panairit të Librit në Torino.

Shkrimtarja shkodrane, e cila jeton në Itali prej moshës 17-vjeçare, ka sjellë në konkurs tregimin “E dashur nënë”, me të cilin prek temat delikate të braktisjes, dhunës e marrëzisë. Jo e lehtë për Amazonën, që është një nënë e përkushtuar, por që jo rrallë prek tema të forta në tregimet e saj.

Amazona vjen nga një familje shkodrane dhe rrëfen se, ka nisur të shkruajë vjersha që në moshën 9-vjeçare. Fëmijëria e kaluar mes natyrës, gjatë udhëtimeve me babain shofer, i ka lënë pasionin për sportin, për kuajt e biçikletën, për notin dhe vrapimin mes gjelbërimit.

Sot, me gjithë angazhimet e shumta; i fundit është Fakulteti i Shkencave Politike, që e vazhdon pa u shkëputur nga puna; ajo vazhdon të kultivojë pasionet e saj. Pa lënë mënjanë letërsinë, si atë për fëmijë, ashtu edhe tregimet për të rritur.

Amazona shkruan shpesh edhe tregime për fëmijë, që zakonisht kanë si protagonistë kafshët. Një ndër tregimet, që e ka bërë të njohur e që ndoshta mbetet ndër më të preferuarit për të, është “Aventurat e Fiorit”, një rrëfim surreal, që ka si protagonist një qen shumë të veçantë. Aq special është ai, saqë, me sugjerimin e miqve dhe dashamirësve, shkrimtarja po mendon për një vazhdim në formë romani.

Një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, një grua me karrierë të suksesshme, aktive në komunitetin shqiptar në Asti, Amazona është një njeri i jashtëzakonshëm. Italia duket se është një tokë suksesi për shkrimtaret shqiptare. Janë të shumta ato, që kanë prekur majat më të larta në gjuhën italiane.

Një shkrimtare shqiptare, që hyri me këmbë të rëndë në botimet italiane, është edhe Anilda Ibrahimi. Poetja, e cila prej vitesh jeton në Romë, për herë të parë erdhi me Shtëpinë e madhe Botuese “Einaudi”, me romanin e saj të parë “E kuqe si nuse”. Më këtë libër, ajo fitoi shumë çmime, teksa ai u përkthye në shumë gjuhë të tjera. Karriera e saj ka vazhduar edhe me botime të tjera, të cilat janë pritur me dashuri nga lexuesi italian e jo vetëm. Ajo është cilësuar si autore “best-seller” për Shtëpinë Botuese “Einaudi”.

Elvira Dones e ndan kohën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zvicrës, Italisë dhe Shqipërisë. Ajo ia doli të botojë romane të rëndësishme në gjuhën italiane. “Virgjëreshat e betuara” është ndoshta krijimi i saj më i suksesshëm në italisht. Një tjetër botim i mirëpritur në Itali ishte “Luftë e vogël e përkorë”. Elvira Dones është e njohur për krijimet e saj edhe në fushën e dokumentarëve televizivë.

Ornela Vorpsi është një ndër emrat më të lakuara të letërsisë së viteve të fundit, jo vetëm në Itali, ku ka fituar shumë çmime, por edhe në Francë e më gjerë. Librat e saj provokues, që i referohen fëmijërisë nën diktaturë, kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe kritikës së huaj. Ajo është cilësuar si një ndër 35 shkrimtarët më të mirë europianë, në antologjinë “Best European Fiction” të hartuar nga Aleksandar Hemon, për krijuesit më të mirë “fiction”. Ornela është gjithashtu fotografe, piktore dhe videoartiste.

Jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera të botës janë shumë shqiptarët, të cilët kanë zgjedhur për të krijuar në atë gjuhë, që nuk është e nënës, por që i ndihmon për të pasqyruar krijimtarinë e iu garanton sukses për artin e tyre, përmes të cilit jo pak herë tregojnë, që në zemër ose në mendje kanë një copë Shqipërie.

Top Channel