Italia, ende e shqetësuar për klandestinët: Edhe flota ushtarake nuk do t’i frenojë

19/05/2015 00:00

Vetëm një ditë pas miratimit të strategjisë, që Bashkimi Europian vendosi të ndjekë për të zgjidhur krizën humanitare të emigrantëve, Italia ka shprehur e para shqetësimin e saj lidhur me të.

Rojet Bregdetare italiane, të cilat kanë edhe peshën kryesore për misionet e shpëtimit, pretendojnë se operacionet ushtarake nuk do të ndalin fluksin e migrimit të refugjatëve drejt Europës.

Kapiteni italian, Leopoldo Cafaro tha për “the Guardian” se prioritet i autoriteteve nuk duhet të jenë trafikantët, por fillimisht fokusi duhet të jetë te shpëtimi i jetës së personave, që udhëtojnë me anije në Mesdhe.

Konkretisht, italianët kërkojnë që forcat e “marinës europiane”, kryesisht ato britanike t’u japin më tepër prioritet kërkimeve të shpëtimit. Sipas marinës italiane, njerëzit e dëshpëruar shumë shpejt do të gjejnë një formë tjetër alternative për të udhëtuar, e kjo sërish do të kthehet si “boomerang” për kontinentin e vjetër.

E teksa Brukseli mendon se i ka dhënë zgjidhje çështjes së trafikimit të qenieve njerëzore, emigrantët i bëjnë thirrje unionit për më shumë mbështetje, jo vetëm për veten, por edhe për Italinë. Është pikërisht Italia, ajo që po përballet me fluksin më të madh të refugjatëve, ku çdo ditë bregdeti i saj shkelet nga njerëz të dëshpëruar.

“Ne mendojmë se autoritetet na kanë harruar. Duam të dimë se ç’po ndodh me ne. Unë nuk mendoj se jam në Itali, sepse të jesh pa dokumente do të thotë që nuk figuron askund. Shikoni se ku flemë”, thotë një emigrant.

“Italia nuk është vendi im, por është toka që po më pret, duke më strehuar. Ne duam mbrojtje, duhet të dini se nuk kemi ardhur këtu për të vjedhur, por duam të punojmë”, shton emigranti tjetër i mbërritur në Itali.

Top Channel