Elhaida Dani kalon në finalen e “Eurovision”-it me këngën “I’m Alive”

19/05/2015 00:00

Numri 14 duket se i dha fat këngëtares Elhaida Dani, duke i prerë biletën për në natën finale të “Eurovision”-it.

Elhaida dhuroi shumë emocion me zërin e saj , e cila kulmoi në pjesën e dytë të këngës ku tingujt e baladës e pushtuan skenën e Vjenës.  E ndjekur dhe nga një kor prej tre shoqëruesesh, vajzat ishin në  sinkron jo vetëm me zërin e tyre, por edhe me veshjen që i dha tepër finesë paraqitjes skenike të tyre.

Ajo që ra në sy në këtë natë të “Eurovision”-it, ishte skenografia  dhe ndriçimi që ndiqte çdo performancë  të artistëve që debutuan në skenën e Vjenës.

Tashmë janë edhe dy net të tjera të festivalit, përkatësisht një tjetër natë gjysmëfinale , si dhe finalja e ditës së shtunë ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij viti.

Performanca e Elhaidas ka marrë lavdërime edhe nga komentatorë të shumtë gjatë kësaj nate gjysmëfinaleje. Ndërkohë që BBC-ja ka vëne në dukje një armë të fortë për këngëtaren shkodrane, pikërisht veshjen e saj, pasi siç theksuan pas daljes së Danit në skenë, ishte tepër e rëndësishme që një këngëtare femër të dilte me të tillë veshje, pas incidentit të Madonës me një të ngjashme.

Edhe Kryeministri Rama e komentoi performancën e shkëlqyer të këngëtares shkodrane, i cili në profilin e tij në “Facebook” shkroi: “Forca Elhaida, tanimë finalja e madhe të pret dhe gjithë shqiptarët do të jenë me ty të shtunën”.

Në “Fecebook” shkroi edhe vetë këngëtarja. “Ia arritëm. Shihemi të shtunën në finalen e madhe të ‘Eurovision’, shkruhej në statusin e Elhaidas, i cili shoqërohej edhe me disa foto pas performancës.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel