Kosovë, kryeprokurori Lumezi pret të dërguarin e OKB-së

19/05/2015 00:00

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur të martën në një takim, përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Farid Zarif, të cilin e ka njoftuar për sfidat, me të cilat po ballafaqohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, si dhe sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi.

Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se, sfidë kryesore e prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe sigurimi i kushteve të përshtatshme, për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zarif inkurajoi Lumezin për bashkëpunim të ndërsjelltë. Zarif ka kërkuar nga kryeprokurori Lumezi që, në ato sfera të bashkëpunimit ku mendon se zyra e UNMIK-ut mund t’i ndihmojë, të thellohet bashkëpunimi.

Në takim u diskutua edhe për integrimin gjithëpërfshirës të komuniteteve pakicë në sistemin prokurorial të Kosovës, siç thuhet në njoftimin nga zyra e kryeprokurorit.

Top Channel