Veliaj takon banorët e njësisë 5: Kontratë me çdo grup interesi

20/05/2015 00:00

Në një takim me banorët e njësisë numër 5 në kryeqytet, njësi të cilën kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi si qytet më vete brenda Tiranës për nga numrin e popullsisë. Ai deklaroi se për çdo njësi dhe për çdo grup interesi do ketë një kontrate specifike me nevojat e tyre.

“Ne do të kemi një program për çdo njësi, kjo do të thotë se nuk do të shkojmë në çdo njësi dhe do të themi se do të bëjmë diçka në qendër të Tiranës. Njerëzit kërkojnë të dinë se çdo të bëhet në njësinë e tyre. Javën tjetër ne do të kemi program të personalizuar për çdo njësi, ku do të jenë ekzaktësisht rrugët që do të preken, çerdhet dhe kopshtet, shkollat që do të hapen, ekzaktëshisht ndërhyrjet që do të bëjmë në ndriçim e mënyrën se si do të bëhet grumbullimi i plehrave, që komuniteti ta dijë që në fillim. Kur ne të vijmë dhe të japim llogari njerëzit ta kenë të qartë se çfarë u premtua për këtë lagje me gjëra konkrete”, tha Veliaj. 

Shqetësimet e banorëve të kësaj njësie lidheshin kryesisht me infrastrukturën e rënduar, mungesën e hapësirave të gjelbërta, por edhe me mungesën e qendrave shëndetësore

Qytetarja: Vëmendje duhet t’i krijohet patjetër shëndetësisë, sepse ish-ministri i Shëndetësisë që kërkon të bëhet kryetar bashkie e harroi qendrën shëndetësore të Selitës.

Veliaj: Në procesin e këtij decentralizimi, pra që jo çdo gjë mund të bëhet në qendër, por disa gjera duhet të delegohen, unë besoj që ka ardhur momenti që me reformën e re territoriale disa nga këto shërbime t’i kalojnë bashkisë. Ajo që është parashikuar në ligjin e ri është se disa nga këto shërbime, sidomos qendrat shëndetësore, të kalojnë në nivel bashkie. Gradualisht bashkia të fillojë dhe të marrë disa nga këto shërbime.

Top Channel