Algjeri, vriten 21 ekstremistë, do kryenin sulme terroriste

20/05/2015 00:00

Forcat algjeriane të sigurisë kanë ekzekutuar 21 ekstremistë islamikë, të cilët dyshohej se do të kryenin sulme terroriste. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i ushtrisë.

Sipas mediave ndërkombëtare, ekstremistët ishin  në një zonë rreth 20 kilometra nga kryeqyteti i vendit. Policia gjeti kallashnikovë, tre raketahedhës dhe dhjetëra bomba.

Zyrtari i ushtrisë, i cili foli në kushte anonimati, konfirmoi se forcat e sigurisë kanë arrestuar dy persona të tjerë, ndërsa personat e ekzekutuar i cilësoi si ‘terroristë’.

Ky është cilësuar si operacioni më i rëndësishëm kundër terrorizmit në Algjeri gjatë kohëve të fundit. Ndërsa militantë të Al Kaeda-s në Magreb kanë ndërmarrë sulme sporadike në lindje të Algjerit, kryeqytetit të Algjerisë.

Sulmi i fundit në Algjeri, i cili u mor përsipër nga militantët e Al Kaedas ka ndodhur në 2013 në një fabrikë, ku mbetën të vrarë rreth 40 persona të cilët ishin marrë peng më herët. Shumica e viktimave në atë sulm ishin shtetas të huaj. Ndërsa në 2007 anëtarë të Al Kaeda-s ishin autorë të sulmit me bomba në zyrat e OKB-së në Algjer, ku mbetën të vrarë 17 persona, pjesë e stafit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, për operacionin e së martës ende nuk ka pasur ndonjë deklaratë zyrtare të ushtrisë.

Top Channel