ISIS në Ramadi, Obama mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurimit

20/05/2015 00:00

Presidenti amerikan Barck Obama mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurimit ‘për të diskutuar në lidhje me situatën e rëndë në Irak dhe strategjinë për t’u përballur me ISIS.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, ku thuhet se Obama e mirëpriti vendimin e Qeverisë irakiane ‘për të zhvilluar një plan të konsoliduar për të rimarrë qytetin e Ramadit’, ndërsa përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj Kryeministrit të Irakut al-Abadi. Megjithatë, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurimit, Alistair Baskey tha se nuk ka asnjë rishikim formal të strategjisë e cila është duke u zbatuar.

Ndërsa një zëdhënës i Pentagonit ka thënë për CNN të martën se drejtuesit e ushtrisë amerikane nuk kanë në plan që t’i kërkojnë Obamës për të autorizuar vendosjen e forcave speciale në terren për të ndihmuar  forcat irakiane.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se fushata ajrore e udhëhequr nga SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë forcat multi-sektare të Irakut në përpjekjet e tyre për të rifituar Ramadin.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen ndaj forcave irakiane që po drejtohen nga qeveria qendrore e Irakut”, tha Earnest.

Në anën tjetër ISIS, militantët e të cilit morën në kontroll kryeqendrën e provincës së Anbarit, Ramadin, ditën e diel, vazhdojnë të forcojnë pozicionet e tyre mbrojtëse nga sulmi që po përgatitet për të rimarrë qytetin. Shumë nga banorët e Ramadit kanë marrë rrugët ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për një krizë të mundshme humanitare.

Militantët, në rrëfimet e të shpërngulurve, shkojnë derë më derë duke kërkuar për simpatizantë të qeverisë e trupat e viktimave të tyre i hedhin në ujërat e Eufratit. Me mijëra milicë shiitë të mbështetur nga Irani po grumbullohen në qytetit përpara ofensivës për rimarrjen e tij. Megjithatë lajmi duket nuk i ka frikësuar militantët e ISIS-it, që thuhet të jenë nisur në drejtim të tyre. 25.000 vetë raportohen të jenë larguar këto ditë nga Ramadi i ndodhur 105 km në perëndim të kryeqytetit të Irakut, Bagdad.

Rimarrja e Ramadit është një sfidë e vërtetë për Bagdadin zyrtar, të cilit i duhet të kërkojë ndihmën e paraushtarakëve shiitë, duke rrezikuar shpërfaqjen e tensioneve sektare me dërgimin e tyre në zemrën sunite të vendit.

Top Channel