Terrorizmi, Edi Rama: Ballkani është i kërcënuar

20/05/2015 00:00

Gjatë ditës së dytë të ministerialit rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, kryeministri Edi Rama theksoi se “Ballkani është i kërcënuar nga terrorizmi” dhe për ta luftuar atë “duhet bashkëpunim rajonal”.

“Asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë. Kërcënimet që vijnë prej konflikteve pranë kufijve të Europës duhen marrë seriozisht. Terrorizmi është shqetësues për shoqërinë tonë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare shtoi: “Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe të përforcojmë ndërveprimin në të gjitha fushat. Pakti i Stabilitetit nxiti promovimin e bashkëpunimit rajonal. Vitin e shkuar ndodhi një kthesë historike me procesin e Berlinit, ku u vendos një gur themeli për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në BE. Në shtator të vitit 2014, Obama u bëri thirrje anëtarëve të OKB-së për të bërë përpjekje për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm. Nëse mund të flasim për rajone ku esktremizmi është kërcënim, një nga këto rajone është rajoni ynë”.

“Shpresoj që ky takim mos të konfirmojë vetëm gadishmërinë, por edhe vendosmërinë për të mposhtur terrorizmin dhe ideologjinë që e mbështet atë. Jemi të bindur se kjo nuk është një përpjekje thjesht e jona, por një përjekje e përbashkët”, shtoi Rama.

Top Channel