Sinjale të forta Shkupit, Rama: Maqedonia nuk ka integrim pa shqiptarët dhe “Ohrin”

20/05/2015 00:00

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, artikuloi qartë mesazhin e tij ndaj Maqedonisë, pas rastit “Kumanova”. Në ministerialin e Tiranës për kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm, Rama tha se nuk mund të ketë integrim europian për Maqedoninë pa respektuar të drejtat e shqiptarëve.

“Kërkojmë respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit. Do të ishte thjesht e pamundur, që unë t’u shmangesha këtu në këtë moment dy fjalëve për Maqedoninë dhe për tragjedinë e Kumanovës, ku fatkeqësisht fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike, dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë dhe autoritetet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë: Që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm dhe i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”, tha Kryeministri Rama.

Ballkani, – shtoi Rama, – është i kërcënuar nga terrorizmi.

“Ne vetë e dimë shumë mirë që, nëse mund të flasim sot për rajone ku ekstremizmi i dhunshëm përbën një kërcënim të vazhdueshëm, një nga këto rajone është padyshim edhe rajoni ynë. Terrorizmi ndërkombëtar vazhdon të përbëjë një kërcënim për këtë rajon, sikundër për të gjithë paqen dhe sigurinë globale”, u shpreh më tej Rama.

Për kryeministrin shqiptar, duhet bashkëpunim në rajon, nëse do të kërkojmë një Ballkan pa ekstremizëm.

“E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin, sesa me njëri-tjetrin dhe ky është edhe problemi ynë i përbashkët, që besoj se mund dhe duhet ta zgjidhim, duke intensifikuar atë bashkëpunim rajonal që ka nisur në fakt që në vitin 2003 me axhendën e Selanikut, dhe duke përforcuar ndërveprimin në të gjitha fushat”, deklaroi Kryeministri Rama.

Top Channel