Dhunuan Strazimirin, Prokuroria: Të dënohen Ndoka e Ndreu. Burg ose punë të detyruar

20/05/2015 00:00

Gjashtë muaj pas fillimit të procesit penal kundër dy deputetëve socialistë, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Gjykatës së Lartë t’i shpallë fajtorë ata për akuzën “goditje për shkak të detyrës”, në dëm të deputetit Gent Strazimiri.

Prokurori i çështjes i tha Gjykatës së Lartë se, për ngjarjen e korrikut 2014, kur Strazimiri u sulmua në korridorin e Kuvendit nga dy kolegët në mazhorancë, Pjerin Ndreu të dënohet me 8 muaj burgim dhe Ndoka me një vit burg.

Megjithatë, prokurori shtroi para gjyqtarëve mundësinë që, nëse dy deputetët japin pëlqimin e tyre, atëherë të pezullohet dënimi me burgim dhe të zëvendësohet me punë të detyrueshme me interes publik. Sipas llogarive të akuzës, Ndoka duhet të kryejë 150 orë punë dhe deputeti Ndreu 80 orë punë.

Sipas Prokurorisë, të dy deputetët socialistë e goditën demokratin Strazimiri për shkak të fjalës së tij të mbajtur në Parlament, teksa deklaroi se në atë sallë ka persona me rekorde kriminale.

“Sigurisht që jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarët që e kanë parë me zë e me figurë presin dhënien e këtij dënimi të kërkuar nga Prokuroria për deputetët në fjalë”, tha deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

“Absolutisht që nuk ka vepër penale ‘goditje për shkak të detyrës’. Ata janë deputetë, janë në të njëjtin funksion, në të njëjtën shërbesë publike, janë me mandat përfaqësimi nga populli sipas subjekteve politike dhe, duke pasur parasysh edhe provat që janë administruar e bërë pjesë e hetimit gjyqësor, në mënyrë të veçantë edhe ato që u vërtetuan gjatë këtij gjykimi, nuk përbëjnë të tillë vepër penale”, tha Baftjar Rusi, avokat i Pjerin Ndreut.

Në fillim të qershorit, avokatët mbrojtës do të japin qëndrimin e tyre në favor të deputetëve Ndreu dhe Ndoka.

Top Channel